O’Neal nxit të qeshura në ceremoninë e Kobet me historinë qesharake - Gazeta Express

O’Neal nxit të qeshura në ceremoninë e Kobet me historinë qesharake

Sport

Gazeta Express

25/02/2020 9:44

Ceremonia përkujtimore për nder të legjendës së basketbollit, Kobe Bryant, dhe vajzës së tij Gianna u shënua nga disa momente prekëse nga njerëzit më të afërt të Kobe-t – shokët e tij, bashkëlojtarët dhe familjarët.

Megjithatë, kjo ceremoni i qëndroi besnik edhe emrit të saj “festë e jetës për Kobe dhe Gianna Bryant”, pasi që ata që flisnin treguan histori personale që i theksonin anët më të mira të të dy viktimave të aksidentit që ndodhi më 26 janar, shpeshherë duke bërë që të gjithë të pranishmit në Staples Center të qeshnin me të madhe, transmeton Gazeta Express.

Asnjë fjalim nuk nxiti më shumë të qeshura sesa i fundit për atë ditë, që ishte nga ish-bashkëlojtari i Kobe Bryant, Shaquille O’Neal, i cili e kishte fituar tri herë titullin e NBA sa ishin bashkë në Los Angeles Lakers me Kobe Bryant.

Shaquille e ndau me të pranishmit një histori nga fillimi i karrierës së Kobe në Lakers, ku tha se e kishte marrë një mësim të madh nga Kobe për mentalitetin e tij “Mamba”.

“Kobe e fitoi respektin tim një ditë kur djemtë e tjerë të skuadrës po ankoheshin dhe më thanë “Shaq, Kobe nuk po e pason topin”. Unë u thashë: “Në rregull, do të flas unë me të””, tregoi legjenda e basketbollit në ceremoninë për Koben dhe vajzën e tij 13-vjeçarë, tashmë të dy të ndjerë.

“Unë i thashë “Kobe nuk ka “i” (fjala angleze për “unë”) në fjalën “team” (fjala angleze për “skuadër”)”. Kobë ma ktheu: “E di, por ka “m” dhe “e” në atë fjalë, idiot” (“me” është gjithashtu fjalë angleze për “unë”). Menjëerë pas kësaj shkova te djemtë e tjerë të skuadrës dhe u thashë merreni topin vetë, ai nuk do të pasojë”.

O’Neal e përdori kohën e tij në podium edhe për të rrëfyer pak më shumë për marrëdhënien e tij me Koben, e cila s’kishte qenë gjithnjë e mirë dhe, sipas mediave, kishte bërë që O’Neal të shkëmbehet në Miami Heat.

“Mos e keqkuptoni këtë. Edhe kur njerëzit mendonin se ne ishim keq mes vete, kur kamerat ndaleshin, ne ia shkelnim syrin njëri-tjetrit dhe thoshim: “Hajde t’i rrahim ca prapanica”. Ne kurrë s’e morëm punën tonë tejet seriozisht. Në të vërtetë, Kobe dhe unë gjithmonë kishim respekt të madh dhe dashuri për njëri-tjetrin”, shtoi O’Neal.

Që nga momenti kur Kobe, vajza e tij dhe shtatë persona të tjerë vdiqën më 26 janar, kur iu rrëzua helikopteri me të cilin po udhëtonin, O’Neal e ka shprehur disa herë se ai pendohet që s’kishte kaluar më shumë kohë me Koben pasi s’luanin më bashkë. /Gazeta Express/