string(88) "omani-thote-se-rundi-i-gjashte-i-bisedimeve-berthamore-shba-irani-do-te-mbahet-te-dielen"

Lajme

Gazeta Express

12/06/2025 10:51

Omani thotë se rundi i gjashtë i bisedimeve bërthamore SHBA-Irani do të mbahet të dielën

Lajme

Gazeta Express

12/06/2025 10:51

Irani dhe Shtetet e Bashkuara do ta zhvillojnë këtë të diel në Oman rundin e gjashtë të bisedimeve për programin bërthamor të Teheranit – i cili po përparon me shpejtësi – tha të enjten ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi.

Njoftimi nga ministri al-Busaidi vjen në një kohë kur SHBA-ja po tërheq stafin që nuk konsiderohet thelbësor për operacionet në Lindjen e Mesme, si dhe të afërmit e tyre, për shkak të mundësisë së trazirave në rajon.

Ndërkohë, janë bërë paralajmërime se anijet mund të jenë shënjestër e sulmeve në ujërat rajonale për shkak të tensioneve.

Al-Busaidi e bëri njoftimin në platformën sociale X.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se rundi i gjashtë i bisedimeve Iran-SHBA do të mbahet në Muskat këtë të diel, më 15”, shkroi ai.

Irani kishte paralajmëruar disa ditë më parë se të kishte bisedime, por Omani – i cili po shërben si ndërmjetës – nuk kishte konfirmuar deri tani.

SHBA-ja nuk ka komentuar ende.

Irani e ka hedhur poshtë zyrtarisht propozimin e Uashingtonit për një marrëveshje, duke e quajtur atë “të papranueshëm” dhe të mangët në çështje kyçe, sidomos sa i përket heqjes së sanksioneve ekonomike dhe njohjes së të drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit në tokën e vet.

Teherani thotë se së shpejti do ta dorëzojë një kundërpropozim përmes Omanit, një plan që e përshkruan si “të arsyeshëm, logjik dhe të baraspeshuar” dhe që u bën thirrje Shteteve të Bashkuara ta marrin seriozisht.

Por, dështimi për të arritur një marrëveshje mund të çojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në Lindje të Mesme, ku tensionet janë të larta tashmë për shkak të luftës në Rripin e Gazës.

Irani dhe SHBA-ja kanë zhvilluar më parë bisedime në Muskat dhe Romë. /REL