Para nënshkrimit të kontratës me Barcelonën, Dani Olmo i është nënshtruar sot paradite një vizite mjekësore për ta parë gjendjen e krahut të tij të majtë, të cilin e kishte operuar para gjashtë muajsh, por edhe të gjurit të djathtë.
Sipas mediumit spanjoll “AS, kampioni i Evropës i kaloi testet dhe tash pret të bëhet lojtar i ri i katalunasve, përcjell “Gazeta Express”.
Mesfushori spanjoll do të nënshkruajë kontratë gjashtëvjeçare, deri në fund të qershorit të vitit 2030, duke e parë që vizitat mjekësore ishin pengesa e fundit e mundshme në rrugën e tij drejt Barcelonës.
Një kalim jo i lehtë për të duke e konsideruar të kaluarën e tij me probleme me lëndimet.
Gjashtë muaj më parë ishte operuar pas një lëndimit të rëndë në krahun e majtë dhe paraprakisht kishte lëndime në gjurin e djathtë, aspekte këto që nuk i kishin bindur deri tash drejtuesit e “Blaugrana”, të cilët nuk dëshironin të rrezikonin.
Kontrollet që i bëri ai në spitalin e Barcelonës dhe më pas Ciutat Esportiva siguruan gjithçka.
Lojtari është shëruar komplet nga të dyja lëndimet dhe do të jetë 100% në dispozicion të trajnerit Hansi Flick.
Sipas të gjitha gjasave, Olmo do të prezantohet zyrtarisht si lojtar i Barcelonës nesër.
Do të jetë edhe momenti kur ai do t’ju bashkohet shokëve të rinj të skuadrës, Ferran Torres e Lamine Yamal, me të cilët e kishte fituar Europianin pak javë më parë në Gjermani. /Gazeta Express/