Olimpiada po shtyhet, boksierët e Kosovës qetësohen dhe e respektojnë karantinën - Gazeta Express
string(79) "olimpiada-po-shtyhet-boksieret-e-kosoves-qetesohen-dhe-e-respektojne-karantinen"

Olimpiada po shtyhet, boksierët e Kosovës qetësohen dhe e respektojnë karantinën

Gazeta Express

24/03/2020 14:49

Boksierët e Kosovës e kanë ndërmend ta respektojnë deri në fund qëndrimin në karantinë. Ata janë qetësuar paksa pasi e morën vesh sot se Olimpiada e Tokios mund të shtyhet për një vit

Ekipi kosovar i boksit e ka ndërmend ta respektojë qëndrimin në karantinë shkaku i koronavirusit, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Boksierët e Kosovës janë qetësuar paksa me faktin se Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” pritet të shtyhen për një vit.

Ata morën pjesë në një turne kualifikues për Olimpiadë në Londër, ndërsa me t’u rikthyer në atdhe u vendosën në karantinë në konvikte në Prishtinë.

“Nisur nga gjasat e larta që të shtyhen Lojërat Olimpike ‘Tokyo 2020’, e që do të ndikonte në shtyrjen edhe të garave kualifikuese për Olimpiadë, ekipi ynë ka vendosur të qëndrojë në konviktin e studentëve edhe gjatë 6 ditëve të ardhshme, me çka përmbushet qëndrimi ynë në karantinë për 14 ditë”, njofton zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli.

“Me mall të madh presim të kthehemi shëndosh e mirë në familjet tona dhe ata t’i gjejmë shëndosh e mirë. Si sportistë, e kemi për detyrë të vazhdojmë me ushtrime për ta mbajtur formën dhe të jemi në top-formë për fazën e ardhshme kualifikuese dhe për vetë Lojërat Olimpike, kurdo që ato të mbahen”, shton “Lata”.

Ai tutje njofton se boksierët janë adaptuar në këto rrethana dhe se po kujdesen për ruajtjen e shëndetit të tyre.

Boksierët tutje shtojnë se kushtet në konvikte janë duke u përmirësuar dita-ditës, ndërsa ju vjen keq që nuk e kanë një vend më të përshtatshëm për të ushtruar.

Boksierët kosovarë po mundohen në maksimum për t’u ruajtur nga virusi vdekjeprurës, ndërsa i këshillojnë qytetarët e Kosovës të qëndrojnë në shtëpi, në mënyrë që të mos përhapet infektimi me COVID-19. /Gazeta Express/