Oklokrati që (ndoshta) s’ia del të bëhet perandor - Gazeta Express
string(46) "oklokrati-qe-ndoshta-sia-del-te-behet-perandor"

OP/ED

Gazeta Express

18/04/2021 13:41

Oklokrati që (ndoshta) s’ia del të bëhet perandor

OP/ED

Gazeta Express

18/04/2021 13:41

Gjithë e akuzojnë Albin Kurtin për dështimet e shumta të qeverisë së tij. Në mungesë. Ai nuk ka qenë asnjëherë aty ku ka qenë shteti, institucionet, qeveria – më së paku si kryeministër. Nesër kur të digjen politikisht edhe një «gjeneratë» e bashkëpunëtoreve të tij dhe plotë tjerë, ai do çojë shpatullat dhe var buzët në stilin e Mr. Bean-it, duke thënë: nuk isha aty, pse ç’a ndodhi dhe do dal në ballkon t’i ndez sërish turmat. Rreth katër dështimeve dhe një «suksesi» të qeverisë së re.

Shkruan: Xhemal Ahmeti

Lexo Edhe:

Politologët – sa u përket ngjarjeve në demokracitë pluraliste perëndimore – nuk gabuan analizën: Pas eksplodimit të tij vertikal partitë populiste vazhdimisht humbin terren. Demagogjia e e tyre u zhvesh. Madje disave edhe eshtrat u shiten vitrinave të mediave afine për historizëm. Nuk ishte hera e parë – që nga lindja e saj – që demokracia pluraliste të shoqërohet ose të përmbyset nga rryma të natyrës. Historiani antik Polibei [200-118 p.k.s.] në «Ciklin e tij kushtetutar», përshkruan këtë degradim të demokracisë me termin ὀχλοκρατία. Termi është sajesë nga dy leksemat: ochlos = pjesë masash, turma dhe kratein‎ (κρατεῖν) = pushtet, pra që donë të thotë Pushteti i turmave.

Diktatorët e gjitha ngjyrave duke ditur se Oklokracia është e pamundur aq sa është e pamundur që një aeroplan të fluturojë pa kabinën komanduese, piloterinë, me dëshirë dhe krahëhapur dashurojnë, animojnë, ushqejnë turmat me «bonbone» mitologjike e utopike gjersa vijnë në pushtet. Pastaj …

«Politika fillon aty ku janë masat» thoshte Lenini. Për të lëvizur këto në favor të doktrinës, ai besonte se e domosdoshme ishte një parti avangarde. Për të qenë ky fuzionim fuqish i suksesshëm, Pater primus-i i bolshevikëve të djeshëm dhe të sotëm, kërkonte sa më shumë aksione të këtyre masave, të atillë ku dhuna është ndër mjetet dinjitoze e jo të dënueshme. Qëllimet e partisë avangarde, thoshte pastaj ai, duhet të jenë identike me ato të masave. Kjo e fundit është fjalia, parimi që denoncoi, sabotoi sistemin e shokut Lenin para syve të realitetit, historisë dhe botës. Pikërisht për shkak asaj që thamë më lartë se Oklokracia është e pamundshme brenda një sistemi qoftë ai formës tiranike, teokratike e lere më demokratike. Që në ditët e para të pushtetit Lenini përjashtoi së pari bujqit si kategori e pamundshme revolucionare pasi nuk hiqnin dorë nga arrat e tyre, pastaj mediat, pastaj Stalini vrau me nga një plumb mbas qafe jo vetëm konkurrencën politike jashtë por edhe brenda zyrave të tij. Në vend të pushtetin popullit, pastaj pra…të gjithë njohim epokën e Leninit, Stalinit, Titos, Enverit e sot Putinit, Kimit të Koresë dhe Erdoganit të Bosforit. William J. Dobson e ka një analizë të shkëlqyeshme [The Dictator’s Learning Curve: 2012] rreth profileve të llojit. Analizë që në shumicën e gjuhëve u botua me titullin: «Diktatura 2.0».

Zëvendësimi i Oklokracisë me termin e tij modern Populizmin ndodhi pas shfaqjes së Populist Party (1891 bis 1908) në  SHBA- të e shekullit 19 dhe literaturës së mëvonshme mbi fashizmin, komunizmin dhe format tjera të «deformimit të demokracisë» [Polibeu] «nëpërmjet turmave të pakontrollueshme» në pushtetin e një Führeri [Le Bon, Canetti, Tarde, Walzer dhe Co.].

KRITIKA DHE «SEKRETI» I KURTIT

Shumica e kritikëve të kryeministrit [për së dyti] kosovar Albin Kurti kur e akuzojnë si populist mirëpo e përshkruajnë si oklokrat. Kjo donë të thotë se ai nuk vepron me institucionet por me turmat edhe gjatë qeverisjes. Sa qëndron kjo? Gjatë përshkrimit ose pandehjes publike nuk ofrohen analiza që lexuesit mund t’ia bënin të qartë nga vjen frika e tyre se në vitet që vijnë vendi do të udhëhiqet nga një Laokraci me Führerin e tyre në pushtet e jo nga institucionet e shtetit ligjor, institucioneve dhe kushtetutës së vendit? Është rëndë ta kapësh Kurtin in (crimine) flagranti. Është si në atë novelën e Franz Werfelit «Fshehtësitë e një njeriu» [1927] edhe po e lexove njëqind herë nuk ia del ta kuptosh kishte pikturuar Cimabue-n vërtet Saverio, apo edhe ky vetë, piktori ishte vetëm një fantazmë komplotiste e konteshës Fagarazzi dhe artshitësit Barbieri? Po ta dinim novela do ta humbte Subjektin, fuqinë e fshehtësisë. Kjo që është e mundshme në letërsi a është e praktikuese edhe në politikë? Për të thënë se mediat dhe kritikët e tij nuk e zënë dot në flagrancë ngase ai zotëron me një metodë të pakapshme për këta, cila mund të ishte? Le t’i bastisim veprimet e qeverisë së tij, e cila akuzohet të shkojë drejt diktaturës. Flitet për tentativa konkrete të pushtetit të tij drejt instalimit të një autokracie. Se është e mundshme dihet mirëfilli. Le t’i rishënojmë tentativat një nga një, para se të gjykojmë.

5 TENTATIVAT E QEVERISË SË RE

Tentativa 1: Nëpërmjet falangave të saja të rrugës – pararojës tashmë të identifikuar si të tillë nga media të ndryshme  – LVV sapo erdhi në pushtet u përpoq që nëpërmjet bullizmit dhe difamimit të diskreditojë opozitën si mizogjinë, dhe njëherësh të hap udhën e diferencimit politik nga Universiteti e tutje. Për shkak se shumica e mediave kapën shpejtë qëllimin ajo: NUK IA DOLI.

Tentativa 2: Ministrja e Kurtit për punë të jashtme i bëri ca skandale njërin pas tjetrit. Fillimisht tha se aty është për te plotësuar dëshirën e saj, ta përmbyll një borxh që Kosova i ka saj për shkak të prindit të rënë martir nga plumbat e UDB-ës. Pastaj shpalli shtetin e saj si më të korruptueshmin dhe kriminelin e rajonit për ta justifikuar disa orë më vonë  mantrën «Kosova të jetë vendi i parë në rajon që i shpall luftë korrupsionit», gjë që acaroi aleatët rajonal. Pastaj për të acaruar ata që sponsorojnë pavarësinë e Kosovës shpalli me narracion të Titos kur punonte për serbët gjermanët popull gjenocidash. Për shumë jashtë e brenda sjellja e kësaj u analizua si tentim për kollabim të qëllimshëm të diplomacisë deritanishme kosovare, pra për të armiqësuar vendin [sidomos diskursin] me gjithkë që mund të tentoj t’i afroj në tavolinën e dialogut me serbët, madje edhe më thellë [spekulime që ende duhet hulumtuar]. Diskursin mirëpo ia thyen mediat dhe shoqëria civile shpejtë saqë të akuzuarit e morrën vesh saora se zëri i saj nuk është zëri i Kosovës. NUK IA DOLI as kjo.

Tentativa 3: Në kuadër të kësaj kampanje të kollabimit të linjës së deritanishme diplomatike të Kosovës karshi aleancave veproi edhe ministri i shëndetësisë Arben Vitia. Ky duke marrë mbi supe madje edhe shkaktimin e një krimi masiv njerëzor me refuzimin e vaksinave që i kishe siguruar, organizuar dhe finalizuar – aq sa ky duhej vetëm të nënshkruante – ministri i qeverisë paraprake. Donte të të profilohej si shpëtimtari i vetëm pa dalë madje duke i bërë asistencë edhe koleges së tij Gërvalla.

Tentativa 4 : Gazeta Insajderi në vend të Kurtit kapi ministrin e tij in (crimine) flagranti. Ky i zënë në vepër thirri prokurorinë dhe policinë t’i arrestojë gazetarët. Policia arrestoi drejtorin e Insajderit Parim Ollurin për ta lëshuar shpejtë, ngase ekspertë e politikanë e sidomos mediave iu dëgjua zëri edhe globalisht duke protestuar. Vitia jo që NUK IA DOLI por konfirmojë me vulë pandehën e kritikës dhe atë duke penalizuar Qeverinë për tentim puçi ndaj mediave dhe fjalës së lirë. Erdogani ia doli, besuan se mund ta bëjnë edhe këta.

Tentativa 5: Me një shtrëngim duarsh Albin Kurti suspendoi parimet dhe proceset që determinojnë ekonominë e lirë të tregut, siç janë e drejta në konkurrencë të tregut, ajo kundër monopolizimit të sferave të ekonomisë dhe plotë tjera si këto. Ai në një vizitë tek ai i shefit të organizatës humanitare «Jetimët e Ballkanit», për të cilin spekulohet të jetë sekser dhe paralarës organizatash lindore bashkë me kryetarin e Skenderajt siguruan në zyrën e kryeministrisë bekimin për projektet për ndërtuar lagje urbanistike «për të varfrit», gjë që nisi me nënshkrimin e komunës së Podujevës. Mediat dhe odat ekonomike heshtën. Kurti IA DOLI ta bëj këtë sabotimi të sistemit, respektivisht të shumë procedurave ligjore që mbajnë tregun brenda kornizave të bardha.

MUNGESA – URA ME TURMAT

Siç shohim aty ku është Kurti ia del. Aty ku mungon ai tjerët djegin veten. Në gjitha tentativat lartë u dogjën Vjosa Osmani dhe institucioni i saj, duke mos reaguar në mbrojtje të lirisë së mediave dhe kushtetutës. Ajo pas këtyre aferave u vulos përfundimisht si kukull e Kurtit. Si politikane – ajo bashkë me partinë e saj – dogji veten moti. Për karrierë. Zgjodhi të dytën si qëllim të jetës së saj. Si ish-presidente ajo mund të merret me aksione humanitare, por iku. Donika Gërvalla u dogj duke kualifikuar veten si ministre kundër interesave të vendit të saj, falsifikuese e historisë dhe propaganduese narracioneve jugosllave dhe e paaftë. E paaftë ngase të vetmin kapital agjiton të jetë bija biologjik e babait të saj. Ministri Vitia nga tash tutje nuk do t’i shporret më titullit universalisht të njohur «Dr. Vdekja».

Dhe nesër Kurti, kur të vihen këta në turma të drunjta, do t’i çoj shpatullat në stilin e tij si pasherr, duke thënë nuk isha aty. Ashtu siç bëri kur u dogjën disa gjenerata të LVV-së. Le t’iu shkojnë në kujtesë këta emra e profile politike: Shpend Ahmeti, Ilir Deda, Dardan Molliqaj, Aida Derguti, Fisnik Ismaili, Shqipe Pantina, pastaj le t’u shkojë ndërmend LDK-ja siç e njihnim deri dje dhe qindra tjerë.

Kurti nuk duron konkurrencën as brenda as jashtë. Ai i djeg. Prandaj ai kur Kosova gjendet në kaos ai ikë në Shqipëri për të mbështetur tre kandidatë anonimë atje. Në orët e liga kur LVV e tij bën kërdinë rrugëve me shpifje kundër tjerëve ai flet për utopira ose gjëra gjeopolitiksht të pamundura dhe që s’kanë të bëjnë asnjë milimetër me realitetin. Ai nuk qeveris me institucionet, prandaj as i korrigjon as i sulmon ato. Atij nuk i interesojnë ato. Ai donë sa më shumë masa. Deri kur dhe sa do t’i mjaftojnë? Se nuk i mjafton Kosova shihet. E si quhen tipat e këtillë që duan pushtetin absolut nëpërmjet turmave dhe atë jo vetëm në vendin e vetë?

Deri atëherë ai në relacion me ministrat e tij, konkurrencën dhe tjerët do ta bëjë gardianin e  ndonjë Rāj ghāṭ-i kosovar, memoriali apo krematoriumi ku gjendet hiri i ish bashkëpunëtoreve të tij dhe konkurrencës politike. NËSE IA DEL!

Nëse jo Leninin do ta takojë një ditë me siguri dhe ky do t’i tregojë ku dhe si e tradhtoi Stalini, apo që të dy i pranojnë se ishte rruga më e gabuar e mundshme që provuan. Aty ndoshta do të kuptoj atë thënien që padrejtësisht i mëveshët kolegut të tij socialist Jan Jaurès dhe që thotë: «Traditë nuk është adhurimi i hirit, por trashëgimi[mi] i flakëve».