Oklokracia e «kurbetçinjve» - Gazeta Express

OP/ED

Xhemal Ahmeti

14/04/2020 10:40

Oklokracia e «kurbetçinjve»

OP/ED

Xhemal Ahmeti

14/04/2020 10:40

E vërtetë është se diaspora ua prishi balancën zgjedhjeve që shkuan. Jo për shkak se votoi, porse votoi me shumicë absolute për një parti të vetme. Mendojnë dhe veprojnë gjithë emigrantët njëjtë, si në kohët e diktaturave? Jo. Njëra nga partitë e atjeshme ka gjetur mënyrën se me ç’kategori t’i kalojë tjerat, kur i mungojnë votat e brendshme. Cila është ajo kategori në emër të së cilës sulmohet diaspora?

Xhemal AHMETI

1.

Mllefi ndaj diasporës ka një rritje konstante. Edhe pse kritikët publikë – ata që marrin guximin ta shprehin protestën – janë të rrallë, sulmuesit dhe përkrahësit e tyre na e shpalojnë gjendjen: kritikët sulmohen kryesisht nga emigrantë që shihen se për cilën parti janë dhe nga eksterafetarët e besimit islam që organizohen nga xhamitë. Ndërkaq shumica e mbrojtësve të tyre janë vendorë, të cilët druajnë të komentojnë por pëlqejnë kritikën në heshtje.

Do ta zëvendësojë hiatusin andej-këndej të së cilit ulërinin «titistët» dhe «enveristët» në të ardhmen kjo gropë e re, para së cilës kësohere do presin rend nga e majta emigrantët e në të djathtë vendorët? Simptomatik sinjalizuese e dukurisë sugjeron ashpërsimin e këtij trendi. Për çka bëhet fjalë në esencë? Nëse përpiqemi me zor të filtrojmë një domethënie konkrete nga debati që kundërmon nga «retorikat» barbare, atëherë ja për ç’bëhet fjalë:

Kritikët thonë se diaspora me sjelljen e saj pro një partie të caktuar saboton vullnetin demokratik të vendorëve. Gjersa vendorët [si tërësi] votojnë për të gjitha opsionet e ofruara elektorale, diaspora [si tërësi] i jep votën masivisht e në mënyrë të organizuar vetëm LVV-së.

 E votuakan Albin Kurtin, siç thonë emigrantë të shumtë virtual, pasi ai qenka i vetmi politikan i pakorruptuar, i drejtë dhe patriot dhe ai që do ta shpëtojë «atdheun» e tyre në mungesë nga gjendja në të cilën gjendet. 75% e elektoratit që votojnë opsione tjera implikohen si të kapur dhe injorantë.

2.    KRITIKA

T’i analizojmë kritikat e pastaj arsyetimet e polemizuesve. Në diasporë nuk zhvillohen zgjedhje. Shteti kosovar nuk bën si Zvicra, tashmë edhe Italia dhe plotë shtete tjera me demokraci reprezentative, të cilat nëpërmjet ambasadave u shpërndajnë me kohë votuesve potencialë nga një zarf me materiale parapërgatitëse për votim. Zarfa përmban informacione objektive për secilën parti të shoqëruar me programin e tyre si dhe formaliat rreth votimit. Republika e Kosovës nuk e bën këtë.

Emigrantët që votojnë me postë dhe ata që shkojnë deri atje për të votuar janë përherë të rekrutuar nga partitë konkrete e jo nga shteti. Prandaj numri i tyre është kaq i vogël. Ata që votuan me postë ishin vetëm 1806 veta. Ata që shkuan atje spekulohet të kenë qenë rreth 30 – 40 mijë persona. Të vetmit që rekrutojnë në mënyrë intensive votues në diasporë janë LVV dhe xhamitë, të cilat sot kanë mbetur qendrat e vetme mobilizuese shqiptare – prandaj ka vite që kur flitet për shqiptarët këndej, flitet ngase qenkan myslimanë.

Kjo është arsyeja se pse votohet me të madhe LVV nga emigrantët dhe jo edhe partitë tjera.

3.    REAGIMET

Kritika konsiderohet e pamoralët, për arsye se ajo fyen diasporën, e cila „ushqen Kosovën“ me qindra milionë në vit. Sipas polemizuesve ajo ka qenë kryesorja në organizimin e shtetit paralel, luftës dhe është burimi kryesor që garanton mbijetimin financiar të Kosovës. Sjellja e vendorëve deklasohet si bukëpërmbysës. Pasi këto pohime vijnë në mënyrë absolute meritojnë relativizimin: Qeveria e LDK-së, UÇK, madje edhe shumica e mediave u bënë dhe u financuan në diasporë. Shteti paralel mbahej nga këto struktura dhe lufta u bë po nga këto struktura. Përfaqësuesit e këtyre strukturave mirëpo nuk ishin imamët; as pseduointegristët me subvencione të shtetit; apo absolventët që nuk zënë vend akademive të këndejme; e as sindikalistët e majtë shqiptarë në Zvicër, por ishin ata që u kthyen atje. Ata që i organizuan, prinë ato procese – shumica absolute – u kthyen pra si parti, politikanë, media e tjetërsoj. Bashkë me paret. Duke u lënë një pjesë modeste ca shoqatave këtu që t’ua botojnë librat atyre që mbetën këtu. Diaspora e djeshme që bëri luftën dhe mbante shtetin paralel nuk është kjo diaspora e sotme që kërkon llogari. Për dy dekada kanë vdekur shumë njerëz, janë rritur të tjerë dhe kanë ndryshuar strukturat. Ose kanë mbetur pa struktura kultrosferike siç ka mbetur diaspora. Pse s’ka organizim kulturor diaspora sot? Sepse ata që organizonin diasporën dikur shkuan atje.

Financimi i sotëm që i bëhet Kosovës nga diaspora ndodhë jo për shkak të partive, shtetit – ua lehtëson atyre pushtetin – patriotizmit, atdheut, por është qarkullim totalisht normal që e imponon mobiliteti, lëvizjet e kapitalit në kushtet globale. Shteti nuk ka sjell vendim që emigrantët me ligj detyrohen të ushqejnë familjet e tyre. Shteti kërkon investime nga diaspora. Kjo ndodhë – dikush humb dikush fiton. Për faj të burokracisë dhe ryshfetit apo për gjera tjera, kjo duhet të diskutohet. E sigurt është se me dhunë nuk ndodhë gjë.

4.    PËRFUNDIMI

Është arrogancë e thellë, injorancë e padurueshme, që kategoria e atyre njerëzve që shkojnë një apo dy herë në vit atje – dhe atë duke u ankuar e përqeshur sikur të ishin këtu ajka e aristokracisë – t’ua determinojnë pushtetin shumicës prej 75% atje dhe t’u thonë se «vetëm ne dimë se ç’është mirë për ju. Ju nuk e kuptoni se jeni të kapur dhe injorantë». Për nga mënyra e komunikimit shihet se shumica s’ka qenë në gjendje as gjuhën e nënës ta ruaj e lere më ta mësoj gjuhën e vendit ku është. Sistemet politike atje e këtu? Demokracia? Korrupsioni? Demokracia transnacionale? Ç’a janë këto terme të komplikuara? As edhe ai që hiqet me intelektuali polemikave nuk e ka ofruar asnjë shenje modeste për të na bindur minimal se për çka e ka fjalën kur flet për shtet, korrupsion, demokraci, zgjedhje. Ca në gishta që e dinë shpërfaqen si ata që brohorisnin dikur «patatet janë bukë, mish dhe frymë xhaxhi…». Nuk kanë nevojë ndoshta t’i dinë këto tema të komplikuara ngase ua kallëzojnë ata emisarët që vijnë këndej. Ata që mbajnë tubime, mbledhin para dhe kënaqen kur nga mesi i turmës del ndonjë babëlok dhe ia lexon poezinë «prijësit legjendar», i cili veçse nuk shkrihet e derdhet ujë mbi karrige e ty të gërditet shekulli.

Emigranti aktualisht ka të drejtë në votë. Që ai të di të votojë me mendtë e tij e jo i manipuluar, duhet të njoh argumentet në mënyrë të barabartë për secilin opsion. Këtë do ta bëjë ai kur sheh se shteti i tij i origjinës i jep diçka (p.sh. shkollat me mësim plotësues, angazhime kulturore e të ngjashme, interesim, projekte etj.) dhe nuk le që të përfaqësohet (si kulturë) në vendet ku jeton nga ndonjë imam i Will-it apo i Diepoldsaut. Parasë gjithash Kuvendi i Kosovës duhet të hartoj ligj që ngarkon Komisionin Zgjedhor të caktojë rregulla dhe filiale që do ta menaxhonin këtë punë. Bëhet fjalë për qindra mijë votues potencialë e jo për 1806 veta apo për tre autobusë. Ose do të vazhdojë votimi për liderin si mesia dhe për askënd tjetër. Kurbetçinjtë kosovarë – ata që votojnë – jetojnë ende në modusin e sagës së Odiseut dhe kjo nuk do ndryshojë edhe për një gjeneratë, prandaj ata që duan votime korrekte, duket të demonstrojnë se si zhvillohen ato. Pjesa më e madhe e atyre që votojnë për atje nuk kanë të drejtë vote në shtetet ku jetojnë. E masa të këtilla s’munden ndryshe përveç se të ta imponojnë oklokracinë.