OKB: Koreja Veriore mund të ketë zhvilluar pajisje bërthamore që futen në raketa balistike - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

04/08/2020 12:45

OKB: Koreja Veriore mund të ketë zhvilluar pajisje bërthamore që futen në raketa balistike

Lajme

Gazeta Express

04/08/2020 12:45

Sipas një raporti konfidencial të Kombeve të Bashkuara, Koreja Veriore po e çon përpara programin e vet bërthamor dhe disa shtete besojnë se vendi komunist ndoshta ka zhvilluar pajisje të vogla bërthamore, të cilat do të mund të barteshin me raketa balistike.

Në raportin e hartuar nga një panel i pavarur i ekspertëve që po i përcjell sanksionet e Kombeve të Bashkuara thuhet se këto shtete, emrat e të cilave nuk u përmendën, besojnë se gjashtë testet e kaluara bërthamore të Koresë veriore ka gjasë ta kenë ndihmuar këtë vend që të zhvillojë pajisje të vogla bërthamore. Koreja Veriore nuk ka kryer ndonjë test bërthamor që nga shtatori i vitit 2017.

Raporti i përkohshëm, që është parë nga agjencia Reuters, i është dorëzuar të hënën komisionit të Këshillit të Sigurimit për sanksionet ndaj Koresë Veriore, i përbërë nga 15 anëtarë, transmeton Gazeta Express.

“Republika Popullore Demokratike e Koresë është duke e vazhduar programin e vet bërthamor, përfshirë prodhimin e uraniumit të pasuruar dhe ndërtimin e një reaktori eksperimental të ujit të lehtë. Një shtet anëtar vlerësoi se Republika Popullore Demokratike e Koresë është duke e vazhduar prodhimin e armëve bërthamore”, thuhet në këtë raport.

Koreja Veriore njihet zyrtarisht si Republika Popullore Demokratike e Koresë. Misioni i këtij shteti në Kombet e Bashkuara në Nju Jork nuk i është përgjigjur kërkesës për koment në lidhje me raportin e OKB-së.