Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar se mbrojtja planetare e Tokës do të vëzhgojë nga afër kometën ndëryjore 3I/ATLAS, e cila po përshkon me shpejtësi sistemin tonë diellor.
Që nga 27 nëntori, një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh nga Rrjeti Ndërkombëtar i Paralajmërimit për Asteroidet (IAWN) do të nisë një fushatë dy–mujore monitorimi, ndërsa kometa i afrohet orbitës së Tokës.
Sipas OKB-së, edhe pse kometa nuk paraqet asnjë rrezik, kalimi i saj ofron një mundësi të vlefshme për të testuar dhe ushtruar procedurat e vëzhgimit planetar.
“3I/ATLAS është lehtësisht e vëzhgueshme për një periudhë të gjatë dhe ka interes të lartë shkencor. Kjo e bën atë një objekt ideal për stërvitje,” – thuhet në njoftimin e OKB-së.

Fushata e këtij viti është ushtrimi i tetë që IAWN organizon që nga viti 2017.
Fushata ishte planifikuar para zbulimit të kometës
Edhe pse kometa 3I/ATLAS u zbulua vetëm në korrik 2025, OKB sqaron se fushata e vjeshtës kishte qenë e planifikuar që në vitin 2024.
Sipas IAWN, vëzhgimi i kometave paraqet sfida të veçanta, pasi ato duken si objekte të mjegullta dhe të zgjatura – ndryshe nga asteroidët, të cilët janë pika të qarta në fushën e teleskopit.
NASA hedh poshtë teoritë për “anije aliene”
Njoftimi i OKB-së vjen pak pasi NASA mbylli përfundimisht spekulimet se objekti mund të ishte një anije kozmike e huaj.

“Duam shumë të gjejmë shenja jete në univers… por 3I/ATLAS është thjesht një kometë,”
– deklaroi Amit Kshatriya, zyrtar i lartë i NASA-s.
Që nga zbulimi i saj, kometa ka ngjallur kureshtje të madhe në rrjetet sociale – aq sa edhe Kim Kardashian pyeti NASA-n publikisht për të. Ndërkohë, disa figura, përfshirë një anëtar të Kongresit amerikan dhe një studiues të Harvardit, këmbëngulën se objekti mund të ishte i origjinës artificiale.
Javën e kaluar, NASA publikoi imazhe të kapura nga tre anije kozmike në orbitën e Marsit, të cilat u afruan deri në 18 milionë milje nga objekti. Pamjet konfirmuan qartë se bëhej fjalë për një kometë.
Avi Loeb nuk dorëzohet: publikon imazhe të reja amatore
Profesori i Harvardit Avi Loeb, një prej zërave që nuk e ka mohuar mundësinë e origjinës jashtëtokësore, publikoi disa foto të reja të kometës, të realizuara nga astronomë amatorë në datat 22–24 nëntor.
Fotot tregojnë:
një komë të ndritshme (koka e kometës),
një bisht të ngushtë rreth 600,000 milje të gjatë,
një “anti-bisht” të orientuar drejt Diellit, një fenomen i rrallë,
dhe një formë të ngjashme me kon të mbuluar nga një mjegullimë e shndritshme.

Imazhet u realizuan me teleskopë amatorë nga Japonia, Spanja, Kili dhe Kanadaja — me pajisje të zakonshme 12–20 inç.
Fotografia më e qartë, sipas Loeb, u kap nga Paul Craggs në Kanada më 21 nëntor, teksa ky i fundit udhëtonte mbi Amerikën e Veriut.
Kometa 3I/ATLAS është objekti i tretë ndëryjor i zbuluar ndonjëherë që kalon pranë sistemit tonë diellor. Ajo nuk paraqet asnjë rrezik, por ofron një mundësi të rrallë për të avancuar teknikën globale të monitorimit planetar.
Për kërkuesit e jetës jashtëtokësore, megjithatë, lajmi mbetet i njëjtë:
sipas NASA-s, 3I/ATLAS është thjesht një kometë. /GazetaExpress/
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...