Veprimet e Izraeli në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Rripin e Gazës synojnë të imponojnë një “ndryshim të përhershëm demografik” në territoret palestineze, deklaroi sot Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.
Në një fjalim në Gjenevë, Turk theksoi se, në tërësi, veprimet e Izraelit në Gaza dhe në Bregun Perëndimor ngjallin shqetësime serioze për spastrime etnike. Ai nënvizoi se operacionet ushtarake të zhvilluara që nga janari 2025 në veri të Bregut Perëndimor kanë çuar në zhvendosjen e rreth 32 mijë palestinezëve.
Sipas tij, forcat izraelite të sigurisë vijojnë të përdorin forcë të panevojshme dhe joproporcionale në Bregun Perëndimor. Dhuna në këtë territor është përshkallëzuar që prej nisjes së luftës në Gaza, pas sulmit të përgjakshëm të Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Bazuar në të dhënat e verifikuara nga zyra e tij, Turk bëri të ditur se 1.020 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite të sigurisë në Bregun Perëndimor që nga ajo datë. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare izraelite, 45 izraelitë, përfshirë ushtarë, kanë humbur jetën në sulme palestineze gjatë së njëjtës periudhë.
Në fillim të shkurtit, qeveria izraelite njoftoi një sërë masash për të forcuar kontrollin mbi Bregun Perëndimor, territor që Izraeli e pushton që nga viti 1967, duke lehtësuar mes të tjerash blerjen e tokave nga izraelitët. Masat janë dënuar gjerësisht në arenën ndërkombëtare, ndërsa një zyrtare e lartë e OKB-së i cilësoi ato si një “aneksim de facto gradual”.
Komisioneri i Lartë theksoi gjithashtu se që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në Rripin e Gazës më 10 tetor 2025, më shumë se 600 palestinezë janë vrarë dhe mbi 1.600 të tjerë janë plagosur në sulme izraelite, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza.
“Diku tjetër, kjo do të konsiderohej një krizë madhore”, u shpreh ai.
Sipas OKB-së, pothuajse e gjithë popullsia prej mbi dy milionë banorësh e Gazës është zhvendosur të paktën një herë që nga fillimi i konfliktit, i cili ka shkatërruar një pjesë të madhe të territorit palestinez.
Në një raport të publikuar javën e kaluar, zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut paralajmëroi se përshkallëzimi i sulmeve, shkatërrimi sistematik i lagjeve të tëra, kufizimi i ndihmës humanitare dhe zhvendosjet e detyruara që duket se synojnë një dëbim të përhershëm të popullsisë, rrisin shqetësimet për spastrim etnik si në Gaza ashtu edhe në Bregun Perëndimor. /Panorama
Kanë kaluar tashmë një vit që nga momenti kur klinika Trandevue u vlerësua në Stamboll me çmimin prestigjioz “Best...