Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka përfunduar vizitën zyrtare në Serbi me një deklaratë të fortë: ai shprehu shqetësimin për rritjen e gjuhës së urrejtjes në mediat tradicionale dhe rrjetet sociale, duke paralajmëruar për pasojat që kjo mund të ketë për shoqërinë.
“Është shqetësuese rritja e gjuhës së urrejtjes, si në internet, ashtu edhe në media. Viktimat më të shpeshta janë gratë, komuniteti rom, personat LGBTIQ+ dhe gazetarët. Madje, shpesh edhe vetë politikanët dhe zyrtarët e lartë përfshihen në retorikë të tillë plot urrejtje,” u shpreh Türk në konferencën për media në Beograd.
Ai theksoi se demonizimi dhe stigmatizimi i atyre që mbrojnë të drejtat e njeriut sjellin vetëm më shumë ndasi dhe frikë në shoqëri.
Gjatë qëndrimit në Beograd, Türk është takuar me zyrtarë shtetërorë, si dhe me studentët që prej më shumë se gjashtë muajsh po protestojnë kundër qeverisë. Ai i cilësoi ata si një shembull shprese dhe angazhimi qytetar: “Jam i impresionuar nga energjia dhe entuziazmi i këtyre të rinjve. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe të respektohet.”
Një ndër temat kryesore të diskutimit me autoritetet serbe ishte tragjedia në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona nga shembja e një strukture betoni. Türk u bëri thirrje institucioneve serbe që të zhvillojnë një hetim të pavarur dhe transparent lidhur me këtë rast, si dhe për çdo pretendim për dhunë ndaj protestuesve paqësorë.
Ai u ndal gjithashtu te rasti i aktivistëve të arrestuar në Novi Sad, duke thënë se shpreson që çështja të zgjidhet sa më parë. Gjashtë aktivistë ndodhen në paraburgim prej më shumë se dy muajsh, ndërsa tre prej tyre janë liruar me masën e arrestit shtëpiak — një vendim që ka nxitur reagime të ashpra nga autoritetet dhe Partia Progresive Serbe në pushtet.
“Shoqëritë ecin përpara kur ekziston hapësirë e lirë për dialog dhe kur kritika mund të shprehet pa frikë nga hakmarrja,” përfundoi zyrtari i lartë i OKB-së. /REL