Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të votojë të enjten për një rezolutë që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm në luftën në Gaza, pasi Shtetet e Bashkuara e bllokuan një përpjekje të ndërmarrë javën e kaluar në Këshillin e Sigurimit.
Sipas diplomatëve, Reuters shkruan se mundësitë janë që teksti të miratohet më mbështetje dërrmuese, pavarësisht përpjekjeve të Izraelit për të bindur vendet të mos marrin pjesë në atë që e cilësoi si një “shfaqje të motivuar politikisht dhe kundërproduktive”.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese, por mbajnë peshë si pasqyrim i qëndrimit global ndaj luftës. Kërkesat e mëparshme të këtij organi për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit janë injoruar. Por, ndryshe nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, asnjë vend nuk ka të drejtë vetoje në Asamblenë e Përgjithshme.
Ky votim vjen para një konference të OKB-së, që ka për synim rigjallërimin e përpjekjeve ndërkombëtare për një zgjidhje me dy shtete mes Izraelit dhe Palestinës.
Kujtojmë se më parë, SHBA paralajmëronte se “vendet që ndërmarrin veprime kundër Izraelit menjëherë pas konferencës do të shihen si kundërshtare të interesave të politikës së jashtme të SHBA-së dhe mund të përballen me pasoja diplomatike.”