Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se e gjithë popullsia e Gazës po përballet me rrezikun e zisë së bukës, duke e cilësuar territorin palestinez si “vendin më të uritur në Tokë”.
Në një deklaratë të bërë më 30 maj, Jens Laerke, zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), theksoi se Gaza është e vetmja zonë ku 100% e banorëve janë në rrezik nga mungesa ekstreme e ushqimit. Ai hodhi poshtë pretendimet e Izraelit që mohojnë këtë gjendje.
Negociatat për përfundimin e luftës që ka nisur prej 20 muajsh në Gazë deri tani nuk kanë sjellë përparim, ndërsa Izraeli rinisi operacionet ushtarake në mars, duke përfunduar armëpushimin gjashtëmujor.
Laerke tha se, megjithë lehtësimin e pjesshëm të bllokadës që Izraeli vendosi më 2 mars, vetëm 900 kamionë me ndihma humanitare janë lejuar të hyjnë në Gazë, prej të cilëve vetëm 600 kamionë kanë mbërritur në pikën kufitare. Nga këto, vetëm një pjesë e vogël e ndihmave është marrë nga palestinezët.
Situata humanitare në Gaza mbetet e rëndë, ndërsa qytetarët përballen me mungesa të thella ushqimore dhe krizë shëndetësore në mes të konfliktit të vazhdueshëm.