OEK ngre alarmin për mbyllje të fabrikave e humbje të vendeve të punës: Faturat janë rritur në nivele rekord - Gazeta Express
string(107) "oek-ngre-alarmin-per-mbyllje-te-fabrikave-e-humbje-te-vendeve-te-punes-faturat-jane-rritur-ne-nivele-rekord"

Lajme

Gazeta Express

27/08/2025 12:11

OEK ngre alarmin për mbyllje të fabrikave e humbje të vendeve të punës: Faturat janë rritur në nivele rekord

Lajme

Gazeta Express

27/08/2025 12:11

Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me faturat e energjisë elektrike të muajve të fundit, duke thënë se të njëjtat janë duke u shndërruar në një barrë të papërballueshme për sektorin prodhues.

Nga OEK është thënë edhe se ata qysh në fillim kanë ngritur zërin publikisht dhe institucionalisht se dalja e detyrueshme e prodhuesve në tregun e lirë do të rezultojë me çmime të papërballueshme për bizneset

‘‘Në kulmin e verës, kur normalisht pritet ulje e çmimeve, faturat e prodhuesve janë rritur në nivele rekord. Kjo ngre alarmin se në periudhën e dimrit, kur konsumi dyfishohet, çmimet mund të kalojnë edhe 300 €/MWh, duke shkaktuar pasoja të pariparueshme si: mbyllje të fabrikave, humbje të mijëra vendeve të punës, rrëzim të prodhimit vendor dhe rritje të varësisë nga importet’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Komunikata:

Oda Ekonomike e Kosovës me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës ritheksojnë kërkesën për pezullimin e detyrueshëm të daljes në tregun e lirë të energjisë

Prishtinë, 27 gusht 2025

Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës në kuadër të saj, shprehin shqetësimin e thellë lidhur me faturat e energjisë elektrike të muajve të fundit, të cilat po shndërrohen në një barrë të papërballueshme për sektorin prodhues.

Që nga dita e parë, Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e saj Prodhuese, ka ngritur zërin publikisht dhe institucionalisht se dalja e detyrueshme e prodhuesve në tregun e lirë do të rezultojë me çmime të papërballueshme për bizneset. Sot, fatkeqësisht, po vërtetohet pikërisht ajo për të cilën kemi paralajmëruar.

Sipas të dhënave zyrtare:

Bizneset prodhuese të obliguara të furnizohen në tregun e lirë kanë paguar 162 €/MWh në qershor 2025 dhe 203 €/MWh në korrik 2025.

Në të njëjtën periudhë, konsumatorët në furnizim të rregulluar kanë paguar vetëm 65–75 €/MWh.

Ky dallim i pajustifikuar, mbi 3 herë më i lartë për prodhuesit, ka sjellë pasoja të rënda për konkurrueshmërinë e fabrikave tona dhe i ka vendosur prodhuesit kosovarë në pozitë të pabarabartë në raport me sektorët e tjerë të brendshëm dhe konkurrentët rajonalë.

Në kulmin e verës, kur normalisht pritet ulje e çmimeve, faturat e prodhuesve janë rritur në nivele rekord. Kjo ngre alarmin se në periudhën e dimrit, kur konsumi dyfishohet, çmimet mund të kalojnë edhe 300 €/MWh, duke shkaktuar pasoja të pariparueshme si:

mbyllje të fabrikave,

humbje të mijëra vendeve të punës,

rrëzim të prodhimit vendor dhe rritje të varësisë nga importet.

Për këto arsye, Oda Ekonomike e Kosovës me Shoqatën e saj të Prodhuesve të Kosovës ritheksojnë me ngulm kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të daljes së detyrueshme në tregun e lirë. Ky është hapi i vetëm i drejtë dhe i domosdoshëm për të mbrojtur prodhimin vendor dhe për të shmangur një krizë ekonomike të shkaktuar nga faturat e energjisë.

Energjia elektrike nuk është thjesht një produkt tregu, është faktori themelor për mbijetesën e industrisë vendore. Pa ndërhyrje të shpejtë, rrezikohet seriozisht baza prodhuese dhe e ardhmja ekonomike e vendit.