Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar pasi Gjykata Komerciale ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) për tregun e hapur energjetik.
Oda Ekonomike e ka konsideruar këtë vendim si shumë të rëndësishëm, duke kërkuar nga ZRRE që ta anulojë këtë vendim.
Kjo odë vazhdimisht e ka konsideruar të dëmshme për bizneset një vendim të tillë nga ZRRE.
“Me aktgjykimin e fundit të datës 29.07.2025, KA.nr.301/25, Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, Departamenti për Çështje Administrative, ka anuluar në tërësi njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) të datës 12.03.2025, përmes të cilës janë njoftuar kompanitë për kalimin e detyrueshëm në tregun e hapur të energjisë elektrike. Oda Ekonomike e Kosovës vlerëson se ky është një vendim i rëndësishëm, që njëherësh konfirmon shqetësimet e ngritura në vazhdimësi nga komuniteti i biznesit dhe nga vetë Oda, lidhur me mënyrën e njëanshme dhe jo transparente të zbatimit të këtij procesi. Në mungesë të një njoftimi të vlefshëm dhe në mungesë të një baze ligjore për zbatim, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga ZRrE që të anulojë vendimin e datës 05.04.2024, i cili nuk mund të prodhojë më efekte juridike”.
“ZRrE është e detyruar të zbatojë aktgjykimet përfundimtare të gjykatës, dhe moszbatimi i tyre përbën shkelje të rëndë të rendit juridik që sjellë përgjegjësi penale. Që nga fillimi, Oda Ekonomike e Kosovës ka qenë zëri institucional që ka qëndruar në mbrojtje të interesit të bizneseve, duke kundërshtuar vendime të njëanshme që rëndojnë prodhimin dhe ekonominë vendore në tërësi. Përmes veprimeve ligjore, kërkesave zyrtare dhe adresimit të vazhdueshëm publik, Oda ka qëndruar krah biznesit dhe do të vazhdojë të luftojë çdo vendim që cenon të drejtën e barabartë dhe trajtimin e drejtë të komunitetit ekonomik në vend”.
“Oda Ekonomike e Kosovës fton institucionet përgjegjëse që të marrin seriozisht vërejtjet e shprehura nga komuniteti i biznesit dhe të angazhohen në politika gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që përkrahin zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike. /Gazeta Express