Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të pezullojë menjëherë zbatimin e masave të kontestuara të liberalizimit të tregut derisa gjyqësori të japë qartësi përmes vendimeve përfundimtare mbi të gjitha ankesat.
Kjo deklaratë e Odës Ekonomike Amerikane vjen pas aktvendimeve të fundit gjyqësore që pezullojnë ekzekutimin e vendimeve të lëshuara nga ZRRE ku përsëriti shqetësimet rreth zbatimit të liberalizimit të tregut të energjisë.
Në të paktën dy raste të ndara, Gjykata Komerciale e Kosovës ka vendosur në favor të kompanive individuale që kontestojnë vendimet e ZRRE-së, duke pezulluar kështu zbatimin e tyre deri në dhënien e një vendimi përfundimtar.
“Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se dy gjyqtarë të ndryshëm, në raste të ndara gjyqësore, kanë arritur në të njëjtin përfundim, pezullimin e vendimeve të ZRRE-së në pritje të akgjykimeve përfundimtare. Kjo qasje e qëndrueshme gjyqësore reflekton shqetësimet në lidhje me ndikimin potencial të këtyre vendimeve në treg, dhe si e tillë nuk mund të injorohet si rastësore ose specifike për një a dy raste”, tha Oda.
Edhe pse këto aktvendime aktualisht zbatohen vetëm për një numër të kufizuar kompanish, Oda Ekonomike Amerikane tha se implikimet e tyre shtrihen shumë më tej.
“Vazhdimi i zbatimit të masave të liberalizimit nga ana e ZRRE-së, derisa dy kompani aktualisht përfitojnë nga pezullimet e urdhëruara nga gjykata e të tjerat mbeten në pritje të aktvendimeve gjyqësore ose nisjes së procedurave ligjore, krijon një mjedis të pasigurisë juridike dhe të diskriminimit ekonomik. Oda Amerikane beson fuqishëm se reformat, përfshirë ato në sektorin e energjisë, duhet të drejtohen nga parimet e drejtësisë, parashikueshmërisë dhe trajtimit të barabartë para ligjit.
Oda Ekonomike Amerikane tha se vetëm një treg i drejtë, transparent dhe plotësisht funksional mund të ofrojë një rrugë të qëndrueshme përpara e ku të gjitha kompanitë, pavarësisht nga madhësia ose kapaciteti ligjor, veprojnë në kushte të barabarta./Express/