OBSH: Situata katastrofike shëndetësore në Gazë pothuajse e pamundur të përmirësohet - Gazeta Express
string(83) "obsh-situata-katastrofike-shendetesore-ne-gaze-pothuajse-e-pamundur-te-permiresohet"

OBSH: Situata katastrofike shëndetësore në Gazë pothuajse e pamundur të përmirësohet

Lajme

Gazeta Express

10/12/2023 21:50

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha të dielën se do të jetë e pamundur të përmirësohet situata “katastrofike” shëndetësore në Gazë, edhe pse bordi miratoi me konsenus një mocion urgjent të OBSH-së për të bërë të mundur qasjen ndaj ndihmës mjekësore.

Zyrtarët palestinezë e kanë cilësuar gjithashtu situatën shëndetësore në Gazë si katastrofike. Sulmet e Izraelit kanë lënë shumicën e popullsisë të pastrehë, me pak energji elektrike, ushqim ose ujë të pastër dhe një sistem mjekësor në kolaps.

Mocioni urgjent, i propozuar nga Afganistani, Katari, Jemeni dhe Maroku, kërkon dërgimin në Gazë të personelit dhe furnizimeve mjekësore, që OBSH-ja të dokumentojë dhunën kundër punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe pacientëve si dhe të sigurojë fonde për rindërtimin e spitaleve.

“Duhet të jem i sinqertë me ju: këto detyra janë pothuajse të pamundura në rrethanat aktuale”, tha shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Zoti Tedros i tha bordit prej 34 anëtarësh në Gjenevë se nevojat mjekësore në Gazë janë shtuar, rreziku i sëmundjeve është rritur, ndërsa sistemi shëndetësor është reduktuar në një të tretën e kapacitetit që ishte para konfliktit.

Dr. Mustafa Barghouti, një politikan palestinez që kryeson Unionin e Komiteteve Palestineze të Ndihmës Mjekësore me 25 ekipe që punojnë në Gazë, tha se: “gjysma e Gazës tani po vdes nga uria”.

Ai tha se 350 mijë njerëz kanë infeksione, përfshirë 115 mijë me infeksione të rënda të frymëmarrjes.

Sipas tij, shumë vuajnë nga probleme të stomakut, sepse ka pak ujë të pastër dhe ka pak mundësi për ta zier atë, duke rrezikuar shpërthimin e dizenterisë, tifos dhe kolerës.

Spitalet e Gazës janë bombarduar, rrethuar ose bastisur si pjesë e ofensivës së Izraelit ndaj sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit më 7 tetor.

Spitalet që janë ende të hapur janë të mbingarkuara nga numri i të vdekurve dhe të plagosurve që vijnë për trajtim.Ndonjëherë ndërhyrjet kryhen pa anestezi.

Sipas të dhënave të OBSH-së, që prej 7 tetorit , janë kryer 449 sulme në objektet e kujdesit shëndetësor në territoret palestineze. /VOA