OBSH paralajmëron: Infeksionet rezistente ndaj antibiotikëve po rriten me shpejtësi – rrezik për shëndetin global - Gazeta Express
string(110) "obsh-paralajmeron-infeksionet-rezistente-ndaj-antibiotikeve-po-rriten-me-shpejtesi-rrezik-per-shendetin-global"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

14/10/2025 19:39

OBSH paralajmëron: Infeksionet rezistente ndaj antibiotikëve po rriten me shpejtësi – rrezik për shëndetin global

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

14/10/2025 19:39

Infeksionet që nuk reagojnë ndaj antibiotikëve po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u trajtuar, duke përbërë një kërcënim serioz për shëndetin publik në mbarë botën.

 Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka raportuar një rritje alarmante të vdekjeve të shkaktuara nga bakteret rezistente ndaj ilaçeve.

Sipas raportit më të fundit të OBSH-së për vitin 2023, një në gjashtë infeksione bakteriale ka rezultuar rezistent ndaj trajtimit me antibiotikë.

Shifrat tregojnë se mbi 40% e antibiotikëve kanë humbur efektin për trajtimin e infeksioneve të zakonshme urinare, të gjakut, të zorrëve dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme mes viteve 2018 dhe 2023.

Problemi është më i theksuar dhe po përkeqësohet me shpejtësi në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku sistemet shëndetësore janë më të brishta. Analiza është bërë mbi më shumë se 23 milionë raste infeksionesh në 104 vende.

Dr. Yvan Hutin, drejtor i departamentit të OBSH-së për rezistencën antimikrobike, e cilësoi raportin shumë shqetësues:

“Me rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve, ne po mbetemi pa opsione trajtimi dhe po rrezikojmë jetë njerëzish, sidomos në vendet ku parandalimi i infeksioneve është i dobët dhe ku aksesin ndaj diagnostikimit dhe mjekimit efektiv është i kufizuar.”

Çfarë është rezistenca antimikrobike?

Rezistenca antimikrobike (AMR) ndodh kur bakteret, viruset, kërpudhat dhe parazitët përshtaten dhe nuk preken më nga barnat që përdoren për t’i trajtuar. Kjo i bën infeksionet më të vështira për t’u kuruar dhe rrit rrezikun e përhapjes, sëmundjeve më të rënda dhe vdekjeve.

Vetëm në vitin 2021, 7.7 milionë njerëz humbën jetën nga infeksionet bakteriale, ku rezistenca ndaj antibiotikëve dyshohet se ka ndikuar në mbi gjysmën e tyre dhe ka shkaktuar drejtpërdrejt mbi 1 milion vdekje.

Sipas parashikimeve, deri në vitin 2050, infeksionet rezistente pritet të shkaktojnë 10 milionë vdekje çdo vit.

Rreziku nga bakteret dhe kërpudhat rezistente

Raporti nënvizon rreziqet serioze që vijnë nga infeksionet bakteriale dhe kërpudhore të vështira për t’u trajtuar. OBSH paralajmëron veçanërisht për bakteret si E.coli, të mbrojtura nga një membranë e jashtme, të cilat shpesh shkaktojnë sepsis, çrregullime të mpiksjes së gjakut, dështim të organeve dhe vdekje. Sipas të dhënave, 40% e rasteve të E.coli tashmë janë rezistente ndaj trajtimit të parë standard.

Edhe infeksionet kërpudhore janë një kërcënim i madh, pasi është shumë e vështirë të zhvillohen ilaçe të reja kundër tyre për shkak se qelizat e kërpudhave janë të ngjashme me ato njerëzore. Vetëm katër barna të reja antifungale janë miratuar në dekadën e fundit.

Një pikë kritike për shëndetin global

Dr. Manica Balasegaram, nga Partneriteti Global për Kërkimin dhe Zhvillimin e Antibiotikëve, tha se situata ka arritur një “pikë kritike”:

“Infeksionet gram-negative, më të vështirat për t’u trajtuar, po ecin më shpejt se zhvillimi i antibiotikëve. Nuk mjafton të krijojmë antibiotikë të rinj, ata duhet të jenë të duhuri – ata që luftojnë infeksionet me ndikimin më të madh në shëndetin publik.”

Ekspertët theksuan se nuk mjafton vetëm zhvillimi i barnave të reja, por duhet një përpjekje globale për parandalimin e infeksioneve përmes ujit të pastër, higjienës, kanalizimeve dhe vaksinimit – për të shmangur pikën e pakthyeshme të krizës. /GazetaExpress/