string(92) "nyt-netanyahu-ne-perplasje-me-trumpin-per-iranin-kercenon-me-sulme-ndaj-objekteve-berthamore"

Lajme

Gazeta Express

28/05/2025 11:39

NYT: Netanyahu në përplasje me Trumpin për Iranin – kërcënon me sulme ndaj objekteve bërthamore

Lajme

Gazeta Express

28/05/2025 11:39

Përderisa administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përpiqet të arrijë një marrëveshje bërthamore me Iranin, sipas disa zyrtarëve të informuar me situatën, New York Times raporton se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po kërcënon ta rrëzojë këtë përpjekje duke paralajmëruar sulme ndaj objekteve kryesore të pasurimit bërthamor të Iranit.

Dihet se përplasja mes Uashingtonit dhe Tel Avivit lidhet me mënyrën se si duhet ndaluar Irani nga zhvillimi i armëve bërthamore, dhe kjo raportohet se ka shkaktuar tensione mes Trump dhe Netanyahut, përfshirë një telefonatë të tensionuar dhe një sërë takimesh të nivelit të lartë mes zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë.

Më herët, Trump paralajmëroi se mund të ketë përparime së shpejti, megjithatë, sipas NYT, burime të afërta me bisedimet kanë thënë se më e shumta që mund të arrihet është një “deklaratë parimesh” që do të shërbente si bazë për negociata të metjeshme.

Në prill, “The New York Times” raportoi se Izraeli kishte planifikuar një sulm ndaj objekteve bërthamore të Iranit, por ishte ndaluar nga Trump që kërkonte kohë për negociata. Megjithatë, tani Netanyahu vazhdon të mendojë për aksion ushtarak, edhe pa mbështetjen e SHBA.

Bëhet e ditur se, zyrtarët izraelitë argumentojnë se dobësia e Iranit është e përkohshme dhe se ky është momenti ideal për një goditje ushtarake. Ndërsa, nga ana tjetër, Trump beson se kjo dobësi është shans për një marrëveshje diplomatike.

Dihet edhe se Izraeli ka eliminuar elementë kyç të mbrojtjes ajrore iraniane dhe ka dobësuar grupet e mbështetura nga Irani si Hezbollah dhe Hamas, duke krijuar një rrugë më të lirë për një sulm të mundshëm. Ndërkohë, negociatat mes SHBA-së dhe Iranit, të ndërmjetësuara nga Omani, vazhdojnë, me opsionet për një projekt rajonal për prodhimin e karburantit për reaktorët bërthamorë, por vendndodhja e pasurimit mbetet e paqartë.

NYT shkruan se Netanyahu, i njohur për skepticizmin e tij ndaj diplomacisë me Teheranin, ka rifreskuar strategjinë e vjetër të presionit përmes kërcënimeve me sulme ushtarake – një taktikë që e ka përdorur edhe në të kaluarën, por shpesh është tërhequr pas.