Eksperti i integrimeve evropiane, Adri Nurellari, ka ngritur një debat të gjerë në Facebook duke krahasuar mënyrën se si evropianët dhe shqiptarët e perceptojnë sigurinë dhe të ardhmen ekonomike.
Nurellari ka publikuar edhe një tabelë të Eurostat duke thënë se, ndryshe nga evropianët që planifikojnë pensionin, investimet, arsimin dhe cilësinë e jetës, shqiptarët mendojnë për ndërtimin e shtëpisë që në lindje.
“Sot, rreth 98.5 për qind e qytetarëve në Kosovë dhe 97.5 për qind në Shqipëri jetojnë në banesa në pronësi. Në Evropë, shumica jetojnë me qira”, shkruan ai, duke vënë në dukje kontrastin mes dy modeleve shoqërore të paraqitura në tabelë.
Sipas Nurellarit, në shoqërinë shqiptare energjia dhe kapitali përqendrohen te “tulla dhe çimentoja”, shpesh për arsye simbolike dhe sociale, si demonstrimi i statusit ndaj të tjerëve, ndërsa investimet afatgjata në zhvillim njerëzor mbeten në plan të dytë.
Ai thekson se shumë prej këtyre shtëpive përfundojnë bosh, pasi brezat e rinj emigrojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani dhe Itali, sapo arrijnë moshën e rritur.
“Ndërsa evropianët ndërtojnë të ardhmen, ne ndërtojmë shtëpi për trashëgimtarë që do të kthehen vetëm në gusht”, shprehet Nurellari.
Sipas tij, kjo nuk është thjesht çështje kulture individuale, por një strategji shoqërore dhe kombëtare që, sipas tij, meriton reflektim të thellë në Shqipëri dhe Kosovë, sidomos në kontekstin e integrimit evropian dhe zhvillimit afatgjatë.