Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të premten, pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur Presidentin, duke shtyrë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja.
Në një intervistë në “NewsLine” analisti Adri Nurellari, u shpreh se asnjë kryeministër përpara Albin Kurtit nuk ka shkaktuar kriza të tilla.
Gjithashtu shtoi se Kurti po tregon totalisht papërgjegjshmëri antikushtetuese.
“Zgjedhjet janë të paevitueshme tashmë. Është akt i papërgjegjshmërisë të qeverisë së Kurtit. Kurti ka sjellë një ndryshim të madh në skenën politike duke i djegur urat e komunikimit me partitë e tjera. Kjo është papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme dhe sjellje e papranueshëm ndaj shtetit dhe ndaj popullit të Kosovës. Kriza e radhës nuk është rastësi. Kjo është shumë e rëndë për Kosovën. Ka qenë vërtet veprime të paprecedent në aspektin e shtetit. Parlamenti ka për detyrë që mos lërë asnjë boshllëk dhe duhet ta kishte zgjidhur çështjen 30 para përfundimit të mandatit. Pra nëse kjo nuk përmbushet shpërndahet parlamenti siç vendosi Presidentja. Datat janë të kufizuara sepse me ligjin e Kosovës afati është 45 ditë. Por Kurti po përpiqet të rikthehet te skenari i vitit të kaluar, ku me praktika banale zvarriti procesin deri më 28 dhjetor për të mundësuar më shumë pjesëmarrje sepse e di që ka epërsi nëse ka më shumë Diasporë sepse banorët aty i shohin me sytë e tyre dështimet”, tha Nurellari.
Gjatë intervistës, Nurellari shtoi se partitë opozitare janë shprehur për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
“Partitë opozitare janë shprehur që do shkohet në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh. Pra për të mos lënë vendin në vakum do duhet të shkohet në zgjedhje. Unë besoj që neni 86 ka epërsi dhe do shkojmë në zgjedhje brenda 45 ditësh. Kurti shpreson që kur ka verë ka Diasporë dhe ka më shumë epërsi elektorale, pasi shpreson që të mbajë zgjedhje në verë. Përgjegjësia është te njeriu që ka më shumë gjëra në dorë për të bërë dhe njeriu më i fuqishëm është Albin Kurti. Sepse parti të tjera nuk e kanë pasur një problem të tillë. Kurti është person autokrat, konfliktual dhe synon të sigurojë edhe kontroll të Presidencës. Kurti mesa duket synon të krijojë një krizë të re, dhe ai e ka lënë vendin në konflikt me SHBA e BE duke e futur vendin në sanksione, po ashtu ka shkaktuar edhe konfliktet e tij, pra edhe partnerja e tij ngushtë, edhe me Vjosa Osmanin është konfliktuar. Pra edhe me një Presidente që ka qenë noterja e tij në shumë procese”, tha mes të tjerash ai.