Numri i turistëve në maj u rrit, por qytetet bregdetare përballen me mungesën e ujit të pijshëm - Gazeta Express
string(94) "numri-i-turisteve-ne-maj-u-rrit-por-qytetet-bregdetare-perballen-me-mungesen-e-ujit-te-pijshem"

Shqiperi

Gazeta Express

24/06/2025 16:45

Numri i turistëve në maj u rrit, por qytetet bregdetare përballen me mungesën e ujit të pijshëm

Shqiperi

Gazeta Express

24/06/2025 16:45

Numri i turistëve të huaj që vizituan Shqipërinë u rrit më tej në maj. Sipas INSTAT, në muajin e kaluar të huajt që erdhën në Shqipëri ishin afro 1 milion, me një rritje prej 1.4% krahasuar me majin e vitit 2024. Në total, në 5 muaj, Shqipërinë e vizituan 3.4 milionë të huaj.

Por tur-operatorët thonë se rritja e turistëve rrezikohet për shkak të luftës, që po frenon prurjet nga Izraeli, por edhe për shkak të mungesës, për të dytin vit radhazi, të turistëve nga Kosova.

“Kemi pasur një rritje sidomos në tre mujorin e parë, për shkak edhe të biletave low cost që po ofrohen. Ka rritje të madhe nga vendet e Lindjes së Mesme, nga Izraeli për shkak edhe të linjës direkte të fluturimeve që u vendos. Por për fat të keq, ky numër nuk po ekziston më, për shkak të luftës. Shumë tur-operatorë janë mes dy zjarresh, janë në mëdyshje për të anuluar kontratat me Izraelin. Sezoni veror ka numrin më të madh të turistëve. Kemi reduktim të numrit të turistëve të Kosovës, që vijnë në fundjavë deri në qershor, dhe më pas kur nis sezoni, reduktojnë numrin, për shkak edhe të çmimeve. Shkojnë në vende të tjera, operatorët kanë bërë kontrata në Halkidiki”, thotë Rrahman Kasa, nga shoqata e tur-operatorëve.

Vrapi i turizmit mund të pengohet edhe për shkak të problemeve që po hasen çdo ditë në terren në zonat bregdetare, që krijojnë një imazh negativ për Shqipërinë.

“Ka një impakt të madh edhe problematikat e shtuara në turizëm. Akoma edhe sot, në hotelet e Durrësit mungon uji. Jemi në kulmin e sezonit, në pikën e vapës dhe imagjinoni një turist që sot të shkojë në dhomë për dush pas plazhit. Problematikë serioze është edhe ndërtimi në këtë periudhë. Shikoni gropa të hapura, vinça, objekte të paveshura me rrjetë”, tha Kasa.

Sipas INSTAT, pjesa më e madhe e të huajve që erdhën në vendin tonë në maj ishin nga vendet e Evropës dhe qëllimi kryesor ishte për pushime dhe vizita tek të afërm.