Nuk pranohet si mësimdhënës në FIEK, paralajmëron padi për konkurs të kurdisur - Gazeta Express
string(77) "nuk-pranohet-si-mesimdhenes-ne-fiek-paralajmeron-padi-per-konkurs-te-kurdisur"

Gazeta Express

22/02/2020 20:02

Nuk pranohet si mësimdhënës në FIEK, paralajmëron padi për konkurs të kurdisur

Gazeta Express

22/02/2020 20:02

Ndonëse kishte ligjëruar si asistent për tetë vite me radhë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, Faton Maliqi nuk arriti që të fitojë pozitën e mësimdhënësit në këtë institucion.

I njëjti po dyshon që i gjithë konkursi i 22 tetorit të vitit 2019 ka qenë i kurdisur. Pas shumë kërkesave që ua dërgoi Dekanatit e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, tashmë Maliqi ka vendosur që për këtë çështje t’iu drejtohet edhe institucioneve të drejtësisë.

Lexo Edhe:

“Natyrisht unë do t’i drejtohem edhe prokurorisë për këtë dhe gjykatës për shkak që mendoj që ka fakte të shumta është e pamundur t’i trajtoj dikush brenda këtij Universiteti”, ka thënë Maliqi për T7.

Sipas tij, ai ka qenë personi i duhur për këtë pozitë pasi që kishte qenë asistent pikërisht për këto lëndë.

“Në vend që t’i hapin disa pozita e kanë hapë vetëm një pozitë ndërsa lëndët e tjera i fshehin dhe i ruajnë për kandidatë të caktuar”, thotë ai.

I njëjti ka përfunduar doktoraturën në një nga universitetet më të njohura në Francë.

Studimet e tij i kishte financuar ambasada franceze, në mënyrë që të ndihmojnë Fakultetin e Inxhinierisë me kuadër shtesë.

Madje nga kjo ambasadë kanë reaguar kur kanë kuptuar se Maliqi nuk është punësuar në FIEK.

“Unë jam e shqetësuar të konstatoj se një profesor asistent për një periudhë prej 8 vjet, posedon doktoraturë në një nga universitetet kryesore të telekomunikacionit në Evropë nuk mund të vazhdojë karrierën e tij në universitet. Do të isha mirënjohëse për vëmendjen që do t’ia kushtonit rastit të z.Maliqit…” thuhet në letrën e Ambasadës Franceze drejtuar Rektoratit.

E nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës kanë konfirmuar që kanë pranuar një letër të tillë. Megjithatë të njëjtit vlerësojnë që nuk ka pasur shkelje në konkursin ku Maliqi nuk u pranua si mësimdhënës.

“Do të punojmë që në konkurset e radhës të ketë mundësi që Faton Maliqi të inkorporohet si pjesë e stafit” kanë thënë nga Rektorati për T7.

Ndërsa dekani i Fakultetit të Inxhinierisë, Enver Hamiti ka arsyetuar refuzimin e ankesës.

“Senati ka vendos në përputhje të plotë me propozimin që ka dhënë Komisioni vlerësues në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK).  Propozimi në FIEK është aprovuar pas shqyrtimit të Raportit në formë të shkruar nga Komisioni vlerësues i FIEK-ut, si dhe refuzimit të ankesës së kandidatit nga Komisioni i ankesave” ka thënë ai.

Ndërkohë është raportuar se ka drejtime në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike që rrezikojnë të mbyllen si pasojë e mungesës së stafit akademik.