Nuk mund t’i gjeni në barnatore, por maskat po shiten në “MerrJep” - Gazeta Express

Nuk mund t’i gjeni në barnatore, por maskat po shiten në “MerrJep”

Lajme

Gazeta Express

26/02/2020 9:54

Frika nga koronavirusi ka mobilizuar kosovarët që të pajisen me maska mbrojtëse. Madje, nëpër barnatoret e vendit vështirë se mund të gjenden të tilla. Por, dikush duket se po i shet ato online, sigurisht me çmim më të lartë

Çmimi i një maske i cili fillimisht varionte 20 deri në 25 centë nëpër barnatoret kosovare tash është rritur në 2 dhe 3 euro. Por edhe me këtë çmim maskat mbrojtëse për mbulimin e rrugëve të frymëmarrjes vështirë se po mund të gjenden nëpër barnatoret e Prishtinës.

Gazeta Express gjatë ditës së martë ka qëndruar në disa nga barnatoret e kryeqytetit. Në shumicën prej tyre, përpos një rasti, maska nuk ka pasur.

E tashmë ka filluar publikimi i shpalljeve online për shitjen e maskave mbrojtëse.

Në faqen për shitblerje “MerrJep”, dikush ka publikuar maska për të cilat ka caktuar çmimin 1 euro.

Maskat e publikuara në “MerrJep”, në barnatore kanë çmimin 20 centë.

Derisa në barnatore ka mungesë të tyre, personi që ka publikuar shpalljen për shitjen e maskave, duket se është furnizuar mjaftueshëm.

Ndërkohë në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast pozitiv me virusin e ri, i cili ka marrë edhe emrin zyrtar COVID-19, e që besohet se e ka origjinën në Kinë.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, kosovarët janë alarmuar javëve të fundit rreth përhapjes dhe pranisë së koronavirusit. Vetëm gjatë ditëve të fundit rreth dhjetë personave u janë bërë analizat me dyshimet për koronë. Por fatmirësisht, të gjitha këto raste kanë rezultuar negative. /GazetaExpress/