Ish-Princi Andrew Mountbatten-Windsor u tha Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell: “Nuk mund ta duroj më këtë”, kur u paralajmërua për herë të parë 14 vjet më parë se një tabloid britanik do të publikonte një artikull rreth të treve, raporton BBC.
Korrespondenca e tij me email me çiftin amerikan u publikua dje, midis dokumentevetë Epstein, dhe ato përmendin gjithashtu Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Ish-princi reagoi pasi iu përcoll një email me të drejtë përgjigjeje i dërguar nga Mail on Sunday te Maxwell në mars 2011, i cili bënte një sërë pretendimesh në lidhje me Andrew-n.
Sipas dokumenteve të publikuara, Andrew u përgjigj: “Çfarë është kjo? Nuk di asgjë për këtë! Duhet ta thoni ju lutem. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me mua. Nuk mund ta duroj më këtë.”
Njoftimi i fundit vjen pasi demokratët në Kongresin Amerikan i kërkuan Andrew t’u përgjigjej pyetjeve si pjesë e hetimit për Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019 ndërsa priste gjyqin për trafikim të të miturve.
Demokrati Suhas Subramanyam i Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve i tha Newsnight se Andrew nuk i ishte përgjigjur ende ftesës për të dëshmuar. “Mbërritja me aeroplan nuk është një kërkesë, ai mund të dëshmojë nga distanca”, tha ai.
Virginia Giuffre, një nga akuzueset më të spikatura të Epstein, pretendoi se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Andrew tri herë kur ishte adoleshente. Andrew i mohoi të gjitha akuzat dhe arriti një zgjidhje jashtë gjykatës me Giuffre në vitin 2022. Marrëveshja nuk përfshinte pranim faji apo kërkim falje.
Atij iu hoqën të gjithë titujt e tij mbretëror në fillim të këtij muaji, pasi kujtimet e Giuffre, të botuara pas vdekjes, sollën vëmendje të re mbi lidhjet e tyre me Epstein dhe Maxwell.