Nuk ka klube të interesuara për Milot Rashicën, thotë zyrtari i Werderit - Gazeta Express
string(71) "nuk-ka-klube-te-interesuara-per-milot-rashicen-thote-zyrtari-i-werderit"

Nuk ka klube të interesuara për Milot Rashicën, thotë zyrtari i Werderit

Futboll

Gazeta Express

04/05/2021 14:09

Duket se Milot Rashica do ta vazhdojë karrierën në Werder Bremen edhe përtej këtij sezoni, në mungesë të interesimit për të nga klubet e tjera.

Rashicës – i cili i ka shënuar vetëm dy gola për klubin gjerman këtë sezon – i dështoi largimi i shumëdëshiruar nga Werderi në çastet e fundit të afatit kalimtar të verës së kaluar, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Rashica kishte arritur marrëveshje me Bayer Leverkusenin dhe madje kishte udhëtuar me makinë drejt Rhineland për ta hedhur firmën. Por Werderi e prishi marrëveshjen sepse nuk e pranoi ujdinë e Leverkusenit, i cili ishte i gatshëm vetëm ta huazojë kosovarin pa detyrim blerjeje.

Që prej fundit të sezonit të kaluar, përfaqësuesi i Kosovës e ka pasur mendjen të gjejë një klub të ri me synim për të luajtur në Ligën e Kampionëve.

Por shefi i Werderit për Futboll dhe Vëzhgim të Talenteve, Clemens Fritz, e ka pranuar se për 24-vjeçarin mungon interesimi nga klubet e tjera.

I pyetur nëse ka klube të interesuara për kosovarin, Fritz tha: “Nuk kam asgjë për të raportuar për këtë”.

Rashica ka qenë pronë e lëndimeve të shumta këtë sezon, si pasojë e të cilave ai nuk ka pasur mundësi të vazhdojë t’i shfaqë aftësitë e veta, duke i bërë vetëm 23 paraqitje në të gjitha garat për klubin gjerman.

Vlera e Rashicës në treg ka rënë dukshëm, po ashtu, shkaku i pandemisë së koronavirusit dhe formës së dobët në sezonin e fundit.

Synimi i Werderit vazhdimisht ka qenë të përfitojë bujshëm nga shitja e tij, prandaj edhe Werderi nuk do të pranojë ta shesë pa pasur ofertë konktrete për të. /Gazeta Express/