Robert Lewandowski pritet të largohet nga Barcelona kur kontrata e tij të përfundojë këtë verë.
Sulmuesi polak ka vetëm disa muaj të mbetura në marrëveshjen aktuale, dhe klubi katalanas ende nuk i ka ofruar një kontratë të re.
Sipas raportimeve, Barcelona ka plane për ta bërë këtë, por njëkohësisht po shikon edhe tregun për një pasues potencial.
Ata tashmë kanë shtuar disa emra të profilit të lartë në listën e tyre, përfshirë sulmuesin e Atletico Madridit, Julian Alvarez, dhe yllin e Bayern Munichut, Harry Kane.
Pavarësisht spekulimeve rreth të ardhmes së Lewandowskit, polaku ka bërë të qartë se nuk shqetësohet për situatën.
Ai insiston se ende nuk e di ku do të përfundojë, megjithëse thashethemet e lidhin me një transferim te ekipi i Major League Soccer, Chicago Fire.
“Nuk e di,” tha Lewandowski për “The Athletic” kur u pyet nëse dëshiron të qëndrojë te “Camp Nou”.
“Sepse duhet ta ndjej. Për momentin, nuk mund t’ju them asgjë (rreth vendimit tim), sepse nuk jam as 50 për qind i sigurt se në cilin drejtim dua të shkoj. Nuk është për këtë moment.”
Lewandowski do të detyrohet të gjejë një skuadër të re nëse Barcelona bën një kthesë, por polaku thotë se nuk ndjehet i nën presion për të njoftuar hapat e ardhshëm.
“Nuk ushtroj presion mbi veten,” tha ai. “Ndoshta kur isha 25 ose 30 vjeç, do të ishte ndryshe. Me përvojën dhe moshën që kam, nuk duhet të vendos tani. Nuk kam ndjenjën se në cilin drejtim duhet të vendos. Ndoshta brenda tre muajsh do të duhet të vendos.
Por ende nuk kam asnjë stres. Duhet ta ndjej. Duhet të filloj ta ndjej, dhe pastaj do të jetë më e lehtë për mua kur të flasim për të ardhmen time”.
Lewandowski ka shijuar një periudhë katërvjeçare të mbushur me trofe te Barcelona deri tani.
Ai ka bërë 180 paraqitje për Blaugranat, duke shënuar 115 gola dhe 23 asistime, dhe ka fituar dy tituj të La Ligës, tri Superkupa të Spanjës dhe një Kupë të Mbretit./GazetaExpress/