Për shkak të mosfunksionimit të skemës për punonjës të huaj, pasi shumë prej tyre e përdorin Shqipërinë si vend tranzit për kalimin në Europë, biznese në sektorë të ndryshëm janë detyruar të përafrojnë pagat për profesione të ngjashme me nivelet e BE-së.
Rreth 2 vite më parë, gjetja e shoferëve për kamion ishte një nga problematikat më të mprehta të sektorit të transportit të mallrave. Disa kompani për të mbushur hendekun e fuqisë punëtore nisën të punësonin shtetas të huaj nga Egjipti, ndërsa vendasit emigronin drejt BE-së, veçanërisht drejt Gjermanisë për paga mbi 2 mijë euro.
Me qëllimin zgjidhjen e problematikës, operatorët e transportit të mallrave me kamion janë detyruar të rrisin pagat nga 30 deri në 50% për 2 vitet e fundit për shoferët e kamionëve. Rodolf Xhillari nga kompania “Balkan Trans Albania” tha se pagat e shoferëve variojnë nga 2,000 deri 2,500 euro në muaj.
Në “luftë” me çmimet, rreziku i një vale të re inflacioni edhe në Shqipëri
“Në 2 vitet e fundit pagat e punonjësve për sektorin e transportit, përfshirë shoferët e kamionëve dhe administratës janë rritur nga 30 deri 50%. Rritja ka qenë e domosdoshme me qëllim frenimin e emigracionit, pasi shumë punonjës po emigronin jashtë për paga më të larta. Ndërsa punësimi i të huajve nuk po funksiononte, pasi shumë prej tyre e përdornin Shqipërinë si trampolin për të emigruar në Europë”, tha ai.
Sipas të dhënave të “Economic Reseach Institute”, në Gjermani paga mesatare për shoferët e kamionit arrijnë deri në 4 mijë euro në muaj. Në Itali paga mesatare për drejtues kamioni arrin 3 mijë euro në muaj. Në Greqi paga mesatare arrin 2,100 euro në muaj. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut pagat variojnë nga 1,300 deri 2,000 euro në muaj.
Dy vjet më parë, sipas të dhënave të operatorëve, paga minimale e drejtuesve të kamionëve në Shqipëri varionte nga 500 deri në 600 euro, ndërsa maksimalja nis nga 1,000-1,500 deri 2,000 euro. Rrogat për drejtuesit e kamionëve në Europë nisin nga 2,000 euro.
Rodolf Xhillari nga kompania “Balkan Trans Albania” pohoi më herët se mungesa e fuqisë punëtore po sillte që 25 deri 30% e mjeteve të qëndronin pa lëvizur, pasi mungonin drejtuesit e kamionëve. Ndërsa rritja e njëpasnjëshme e pagave ka shtuar koston për bizneset. Vështirësitë në gjetjen e shoferëve për kamion dhe punonjës mbështetës ka qenë edhe për kompanitë e importit dhe shpërndarjes së mallrave ushqimore.
Problematika është prezentë edhe te transporti i pasagjerëve. Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas Kostandin Foni pohoi më herët se operatorët e transportit urban hasin vështirësi për gjetjen e shoferëve të autobusëve për linjat publike në Tiranë. Sipas tij zgjidhja e vetme e ndërmarrë ishte rritja e pagës. Paga mesatare e një shoferi autobusi ka arritur 90 mijë në muaj, ndërsa e një faturino75 mijë në muaj.