“Nuk është befasi”- Krerët e shtetit kritikohen për mosreagim institucional pas dëshmisë së James Rubin dhe Paul Williams në Hagë - Gazeta Express
string(126) "nuk-eshte-befasi-kreret-e-shtetit-kritikohen-per-mosreagim-institucional-pas-deshmise-se-james-rubin-dhe-paul-williams-ne-hage"

Lajme

Gazeta Express

19/09/2025 8:12

“Nuk është befasi”- Krerët e shtetit kritikohen për mosreagim institucional pas dëshmisë së James Rubin dhe Paul Williams në Hagë

Lajme

Gazeta Express

19/09/2025 8:12

Dëshmia e fundit e ish‑ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe ish-këshilltarit ligjor të delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje, Paul Williams në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka tërhequr vëmendjen e gjerë të opinionit publik në Kosovë dhe më gjerë.

Deklaratat e tyre, që prekin drejtpërdrejt çështjen e strukturës komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rolin e ish-presidentit Hashim Thaçi, kanë krijuar një valë reagimesh në media, shoqëri civile dhe në skenën politike.

Përkundër peshës që mbart kjo dëshmi, veçanërisht në një proces kaq të ndjeshëm dhe historik për Kosovën, është vërejtur një mungesë e plotë reagimi nga institucionet më të larta të shtetit.

Deri më tani, as Presidentja e Republikës, as Kryeministri dhe as Kryetari i Kuvendit nuk kanë dhënë ndonjë koment apo qëndrim zyrtar në lidhje me dëshminë që tashmë ka hyrë në qendër të debatit publik.

E heshtja e institucioneve karshi këtyre dëshmive është kritikuar ashpër.

Gucati pas heshtjes institucionale për dëshminë e James Rubin: Turpi i turpit, këta s’janë të interesuar për lirimin e atyre burrave atje

Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, për FrontOnline është deklaruar ndaj mungesës së reagimit institucional pas dëshmisë së ish-zyrtarit amerikan James Rubin dhe Paul Williams në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e quajtur situatën “turpi i turpit” dhe duke akuzuar institucionet se nuk kanë vullnet për të mbështetur të akuzuarit në procesin gjyqësor.

 “Prej kujt po pret reagim? Mos të flasim për ta hiq më mirë”, tha Gucati.

Ai përmendi edhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, duke ia kujtuar edhe shkrimin e një teksti për UÇK-në.

“Ish dashur Qeveria, Presidenca e ky far Dimal Basha që e ka bërë një punim të mirë kundër UÇK-së, ish dashur me reagu”, shtoi ai.

Gucati theksoi se deklarata e James Rubin ishte një rast i jashtëzakonshëm për t’u përshëndetur nga institucionet shtetërore, por që është lënë në heshtje.

“Turpi i turpit që deri sot s’kanë reaguar. Këta s’janë të interesuar për lirimin e atyre burrave atje. Ku ka deklaratë më të mirë se sa të Rubinit, në vend se me dalur me përshëndetë deklaratën e tij nga shteti i Kosovës, ne nuk pamë fare reagim”, deklaroi Gucati

Ai thotë se s’ka fare besim tek institucionet e vendit.

“Nuk kam besim fare tek ta.” deklaroi ai.

Ish-deputeti dhe ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi për FrontOnline ka folur për mungesën e një qëndrimi institucional nga udhëheqja e shtetit të Kosovës pas dëshmisë së ish-zyrtarit amerikan James Rubin dhe Paul Williams në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Abazi ka kritikuar Kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, duke thënë se heshtja e tij nuk është befasuese dhe se ai po sillet si “lojtar i bankës rezervë”, duke i shfrytëzuar zhvillimet për të forcuar pozitën personale brenda partisë dhe pushtetit.

“Nuk është e habitshme. Qëndrimi i Kurtit ndaj procesit të Gjykatës Speciale ka qenë vetëm si përkrahje për me pastruar terrenin”, ka deklaruar Abazi.

Ai më tej ka vënë në pikëpyetje rolin e Kurtit në raport me procesin në Hagë, duke e akuzuar se është i përqendruar vetëm në mbajtjen e pushtetit .

“Është dëshmuar që Kurti është lojtar i bankës rezervë. Që kur janë hequr lojtarët kryesorë, ky ka dalë në fushë dhe me çdo kusht po mundohet me mbet në lojë. Por nuk po flet fare për procesin e rëndësishëm që është duke u zhvilluar në Hagë. Për të është e rëndësishme vetëm kontrolli i pushtetit dhe fuqia ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, dhe asgjë tjetër”, tha Abazi për FrontOnline.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, për FrontOnline ka folur ndaj mungesës së një qëndrimi zyrtar nga institucionet e Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit në Gjykatën Speciale.

Humolli ka shprehur zhgënjimin e tij për qasjen e udhëheqësve aktualë të shtetit ndaj historisë dhe realitetit të Kosovës, duke i akuzuar për shkëputje nga përvoja dhe rrënjët kombëtare.

“Nuk janë në tokë të hapësirë dhe nuk po jetojnë në realitetin se çfarë është në Kosovë realisht,” ka deklaruar ai.

Sipas Humollit, është e kotë të diskutohet për çështje historike me ata që, sipas tij, e kanë harruar rrugëtimin e Kosovës.

“Për histori s’kemi çka me diskutu më për ta, se kanë harruar edhe prej ku kemi ardhur si komb e si Kosovë” tha ai

Ai thotë se kjo situatë nuk është surprizë për të. “Nuk është befasi kjo për mu”, u shpreh ai.