Lamine Yamal përfundoi në vendin e dytë në garën për Topin e Artë, i cili i takoi Ousmane Dembeles, në gala mbrëmjen e mbajtur mbrëmë në Paris të Francës.
E pas këtij vendimi ka reaguar babai i yllit të ri spanjoll, i cili e ka kontestuar triumfin e futbollistit të Paris Saint-Germainit, shkruan “Gazeta Express”.
Mounir Yamal nuk mundi të besonte që talenti i Barcelonës përfundoi i dyti duke dyshuar në vendimin e marrë.
“Duhet ta themi se diçka shumë e çuditshme ndodhi këtu. Mendoj se kjo është më e madhja, jo grabitje, nuk do ta them këtë: dëmi më i madh moral ndaj një qenieje njerëzore. Sepse unë besoj se Lamine është bindshëm lojtari më i mirë në botë, me një diferencë të madhe. Jo pse është djali im, por sepse është lojtari më i mirë në botë. Nuk mendoj se ai ka rivalë”, deklaroi babai i Yamalit në emisionin “El Chiringuito”.
18-vjeçari konsiderohet sot si njëri prej futbollistëve më të mirë në botë, por Dembele e fitoi Ligën e Kampionëve, ku ishte protagonist me parisienët, me të cilët triumfoi edhe në Francë. /Gazeta Express