Vetëm kuti njëra mbi tjetrën në skenë. Ndoshta nuk ka asgjë për të thënë. Por historitë, shfaqen ndoshta rastësisht dhe ne vetëm mund të vëzhgojmë se si aty ngritët një teatër. Një botë. Një qytet…Vetëm harresa i jep kuptim kujtesës…
Nga Halil Matoshi
1.
Shfaqja “I don’t wana forget” e Indepedent theater companies nga Italia me Marina Romondia (aktore dhe regjisore) e Nicolo Sordo, është e frymëzuar nga vepra e fotografes amerikane Nan Goldin dhe e ideuar si Memento mori – një litar artistik ose simbolik që vepron si një kujtesë e pashmangshmërisë së vdekjes.
Në një skenë minimaliste, grumbujt e kutive prej kartoni që zhvendosen në mizanskenë, dy aktorë në këmbë, natyrshëm e me sinqeritet rrëfejnë tregimet që u mgjallin fotografitë.
Në sfond, vijon projeksioni i disa prej fotografive më tipike të Goldin. Historia është si një rrugëtim i mugët që “lundron” si një mur me tulla (një ekran) ku parakalojnë fytyrat e të dashurve ose thjesh e bashkëkohanikëve nga bota e Goldin.
Aktorët në skenë shkëmbejnë kujtime dhe rindërtojnë kuptime nga ato copa nga memoria.
1.
Njëra kuti manash plot fotografi… “Nuk dua të harroj” sapo çelet para syve të publikut.
Fotografi të njerëzve të njohur dhe të atyre që nuk i kanë njohur poashtu.
Ato kuti të vendosura njëra mbi tjetrën krijojnë një qytet. Qytetet ngritën e rrënohen mbi kujtimet e të shkuarës dhe frymojnë me kujtime.
Aty ku ndalen kujtimet, në stacionin e harresës, njeriu vdes dhe kjo i jep jetës kuptim.
Lë një lule të kuqe për secilën fytyrë, për akëcilin njeri që është një kujtim që përmbush jetën njerëzore.
2.
Pa pretendime të mëdha, tregim intim, me një skenografi minimaliste dhe me një ide të bukur: artin si kujtesë dhe kujtesën si art!
“Krejt çka na kujtohet është letërsi” thotë Gabriel Garcia Marquez, për t’i nxitur njerëzit të kujtojnë. Të memorizojnë vrragët e jetës… buzëqeshjet dhe lotët e shtangur.
Të fotografojnë. Fotografojnë. Fotografojnë.
Secilin çast të jetës si Nan Goldin.
Thjesht të kujtosh dmth. po jeton. Dhe aty ku ndalën kujtimet nisë harresa.
3.
Trego se nuk dua të harroj i flet publikut për ta mundur indiferencën.
“Kjo është festa ime, familja ime, historia ime, kujtesa ime…”, thotë fotografja Nan Goldin.
Ajo nuk dëshiron t’i harrojë copëzat e një historie që rrjedh pa fund e fillim.
E tërë ideja e shfaqjës ngjanë në një album fotografik familjar.
Nuk ka album pa të vdekurit “tanë” që jetojnë në ne dhe sa herë i hapim u japim kuptime të reja, që ndoshta nuk i kanë, porse neve na duhen për të mos rënë në amnezi.
4.
Një kuti hapet. Si dritare papafingoje. Si arkë me thesare. Një hapësirë e përbërë nga momente të ngrira në imazhe, fytyra. Fëmijë e të rritur. Në skena intime. Në bezdi e zemërata. Aktorët të ndjekur nga publiku hyjnë në atë dhomë imagjinare duke gjetur fytyra që i duan edhe pa i njohur, kujtime që vetiu nuk i përkasin më askujt por njerëzit t i rikuptimësojnë ato.
5.
Imazhet na flasin, ja një grua italiane e shpërngulur në Meriland, na shfaqet sapo e çelim kutinë e kujtimeve.
Ato na kthejnë jetën e kaluar vjedhurazi dhe na bëjnë të kujtohemi se çfarë kemi menduar kur hypëm sëpari në tren!?
Na e përsdytin një ditë të kthjelltë maji.
Hyjmë e notojmë në lojën e kujtimeve.
Fytyrat ngjitën në lëkurën tonë, na bëhen pjesë e frymës, jetojnë me ne deri sa të fikën dritat.
Të mbarojë shfaqja…
/Gazeta Express