Pas konfirmimit zyrtar të ndarjes me Interin, Simone Inzaghi ka publikuar një mesazh prekës lamtumire, ku falënderon të gjithë komunitetin zikaltër për katër vite të mbushura me emocione, suksese dhe sakrifica.
Në mesazhin e tij drejtuar “familjes zikaltër”, Inzaghi shkruan:
“Ka ardhur momenti për mua të përshëndes këtë klub pas një rruge katërvjeçare, gjatë së cilës kam dhënë gjithçka. Çdo ditë e kam nisur dhe e kam përfunduar me mendjen te Interi.”
Ai thekson mirënjohjen për të gjithë: nga lojtarët dhe stafi teknik, te drejtuesit dhe çdo punonjës i klubit, duke vënë në pah frymën e bashkëpunimit dhe përkushtimin që e shoqëroi gjatë gjithë rrugëtimit të tij në Milano.
“Gjashtë trofetë e fituar, përfshirë Scudetton e Yllit të Dytë, dhe rrugëtimi madhështor në Champions League në vitin 2023 dhe këtë sezon, janë dëshmi konkrete se puna jonë ishte rezultat i unitetit me stafin tim dhe çdo pjesëtar të Interit.”
Inzaghi nuk harron as aksionarët dhe presidentin, të cilët i falënderon për besimin dhe dialogun e përditshëm, sidomos në një ditë të vështirë si kjo, ku të dyja palët vendosën me sinqeritet ta përmbyllin këtë kapitull.
Fjalët më të ndjera janë ruajtur për fund, për ata që gjithmonë ishin aty:
“Fjalët e fundit dua t’ua dedikoj miliona tifozëve zikaltër që më kanë mbështetur, që kanë qarë dhe vuajtur në momentet e vështira, por edhe kanë qeshur dhe festuar në gjashtë triumfet që kemi përjetuar së bashku.
Nuk do t’ju harroj kurrë.
Forza Inter.”
Ky mesazh vjen si një përmbyllje dinjitoze e një epoke të artë për Interin, ku Simone Inzaghi jo vetëm fitoi trofe, por fitoi edhe zemrat e tifozëve me stilin e tij të qetë, vizionin taktik dhe ndjenjën e thellë të përkatësisë.
aaaaa