Përmes mekanizmit të ri të SHBA-NATO të quajtur Lista e Kërkesave Prioritare për Ukrainën (Prioritised Ukraine Requirement List), Norvegjia, Suedia dhe Danimarka sapo kanë njoftuar planet për të financuar së bashku një paketë ndihme për Ukrainën.
Sipas The Guardian, paketa, e cila vlerësohet të jetë me vlerë rreth 420 milionë euro gjithsej, do të përfshijë mbështetje për “mbrojtjen ajrore të Ukrainës, municione dhe pajisje të tjera thelbësore.”
Bëhet e ditur se Suedia do të japë kontributin më të madh, me mbi 220 milionë euro, e ndjekur nga Norvegjia me rreth 120 milionë euro dhe Danimarka me rreth 80 milionë euro.
Duke folur për paketën, ministri norvegjez i mbrojtjes, Tore O. Sandvik, është shprehur se kjo paketë e re synon të sigurojë që Ukraina “të marrë sa më shpejt pajisjet që i nevojiten” për t’u mbrojtur nga Rusia.
Njëkohësisht, ministrat suedezë kanë paraqitur përmbajtjen e marrëveshjes në një konferencë shtypi në Stokholm.
Në fjalën e saj hyrëse, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e energjisë dhe industrisë, Ebba Busch, ka theksuar se “kauza e Ukrainës është edhe e jona”, ndërsa ka nënvizuar nevojën për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës përballë sulmeve të vazhdueshme ruse, raporton The Guardian.
Kujtojmë se kjo është paketa e dytë e këtij lloji, pasi më herët Holanda njoftoi planet e saj për të shpenzuar rreth 500 milionë euro për blerje armësh amerikane për Ukrainën nën të njëjtën skemë.
Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, hapi vendndodhjen e saj të sapo ndërtuar në...