Ndërsa shkencëtarët po përgatiten për shpalljet e Çmimeve Nobel javën e ardhshme, një nga institucionet që i ndan këto çmime po paralajmëron se liria akademike është në rrezik në SHBA dhe gjetkë, pasi ndërhyrjet politike mund të kenë pasoja negative afatgjata.
Presidenti amerikan Donald Trump ka ndërmarrë ose propozuar një sërë masash gjatë mandatit të tij të dytë që, sipas kritikëve, do të dëmtojnë arsimin dhe kërkimin shkencor, shkruan A2.
Trump ka propozuar shkurtime të thella në buxhetin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, financuesi më i madh në botë i kërkimit biomjekësor dhe dëshiron të shpërbëjë Departamentin e Arsimit, me qëllim që të zvogëlojë rolin e qeverisë federale në arsim në favor të më shumë kontrolli nga shtetet.
Administrata e tij ka thënë gjithashtu se do të japë përparësi programeve që përqendrohen në “arsimin patriotik”, dhe ka kërkuar që universitetet të vendosin një kufi prej 15% për studentët ndërkombëtarë në nivelin bachelor.
Ylva Engstrom, nënkryetare e Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, e cila i jep çmimet për kimi, fizikë dhe ekonomi, tha se ndryshimet e administratës Trump ishin të pamatura.