Njësia Speciale Anti-terroriste “Tigrat” shënon sot zyrtarisht 45-vjetorin e themelimit të saj si formacioni më i lartë policor në Maqedoninë e Veriut, por ky jubile e gjen këtë njësi sërish në qendër të kritikave për shkak të mbylljes hermetike ndaj shqiptarëve, përcjell INA.
Edhe pas gati gjysmë shekulli ekzistencë dhe pavarësisht ndryshimeve rrënjësore politike e kushtetuese në vend, “Tigrat“ vazhdojnë të mbeten një strukturë etnikisht e pastër maqedonase, duke sfiduar hapur parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
E formuar më 13 mars 1981 në kuadër të ish-Sekretariatit të Punëve të Brendshme, kjo njësi elitare është ndërtuar mbi imazhin e një force të pathyeshme për operacione speciale, luftë kundër terrorizmit dhe zgjidhjen e krizave me pengje, duke u trajnuar sipas standardeve më të rrepta ndërkombëtare. Megjithatë, ajo që bie në sy në çdo paradë dhe aktivitet zyrtar është mungesa totale e pjesëtarëve shqiptarë, fakt ky që e bën „Tigrin“ të vetmin institucion të sigurisë që nuk ka reflektuar realitetin multietnik të shtetit. Përderisa në njësitë e tjera speciale të policisë dhe ushtrisë shqiptarët kanë dëshmuar profesionalizëm dhe gatishmëri të lartë, dyert e „Tigrave“ mbeten të blinduara për ta, duke e mbajtur këtë formacion si një bastion ekskluziv etnik që funksionon jashtë kornizave të integrimit që kërkohet nga marrëveshjet politike në vend. Kështu, në këtë 45-vjetor, përveç demonstrimit të forcës dhe teknikës, „Tigrat“ konfirmojnë edhe një herë statusin e tyre si një njësi që ende nuk ka hapur rrugën për diversitetin, duke mbetur simboli i fundit i një strukture policore njëetnike në Maqedoninë e Veriut.(INA)
tag_katrorimaqedoni_2
Reisebüro Prishtina ka kënaqësinë të njoftojë se, duke filluar nga 12 qershori, do të ofrojë fluturime direkte dy herë...