Harvey Weinstein ndodhet aktualisht në spital për arsye shëndetësore, por përballja me drejtësinë vazhdon
Ish-producenti i fuqishëm, Harvey Weinstein, është shpallur fajtor për një tjetër akuzë për sulm seksual nga një juri në Nju Jork, duke vulosur edhe më fort rënien e një prej emrave më të zhurmshëm të Hollywood-it.
Ky vendim i fundit vjen pasi një gjykatë apeli rrëzoi dënimin e tij të mëparshëm, duke ngritur shqetësime për drejtësinë e procesit në vitin 2020.
Gjyqi i tanishëm zgjati gjashtë javë dhe përfshiu dëshmitë e tre grave që ndanë për herë të parë dhe në publik, përjetimet e tyre me producentin që për vite përdori pushtetin si mjet manipulimi. Miriam Haley, ish-asistente televizive, ishte një nga gratë që tronditi sallën me rrëfimin e saj.
Juria e shpalli fajtor Weinstein për sulmin ndaj saj, ndërsa për modelen Kaya Sokola ai u shpall i pafajshëm, dhe për aktoren Jessica Mann ende nuk ka një vendim përfundimtar.
72-vjeçari ndodhet aktualisht në spital për arsye shëndetësore, por përballja me drejtësinë vazhdon. Ai ka ende përpara një dënim prej 16 vitesh për krime seksuale në Los Angeles që nuk ka nisur ta vuajë.
Me këtë vendim të ri, bëhet e qartë se epoka e pandëshkueshmërisë në industrinë e filmit është duke u çmontuar, ndoshta ngadalë, por me zë gjithnjë e më të fortë.