Gjykata Themelore në Pejë, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh ndaj të pandehurit K.M., pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë.
Në njoftimin e gjykatës, shtohet se, masa e paraburgimit do të mbahet fillimisht në Repartin e Psikiatrisë në Pejë, për aq kohë sa vlerësohet i nevojshëm trajtimi shëndetësor, ndërsa pas përfundimit të tij i pandehuri do të dërgohet në Qendrën e Paraburgimit.
Njoftimi:
Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, me gjyqtarin e procedurës paraprake Musë Povataj, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh ndaj të pandehurit K.M., pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda.
Masa e paraburgimit është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri K.M. ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa paraburgimi është caktuar mbi bazën e kushteve ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Paraburgimi i është caktuar nga data 06.02.2026, ora 04:00 dhe do të zgjasë deri më 06.03.2026. Masa e paraburgimit do të mbahet fillimisht në Repartin e Psikiatrisë në Pejë, për aq kohë sa vlerësohet i nevojshëm trajtimi shëndetësor, ndërsa pas përfundimit të tij i pandehuri do të dërgohet në Qendrën e Paraburgimit.