Peshkaqeni sulmoi edhe partnerin e saj, i cili, sipas policisë, u dërgua në spital në gjendje kritike.
Një grua e re zvicerane u plagos për vdekje në një sulm peshkaqeni në brigjet lindore të Australisë. Peshkaqeni sulmoi edhe partnerin e saj, i cili, sipas policisë, u dërgua në spital në gjendje kritike.
Viktimat ishin turistë zviceranë, siç konfirmoi policia lokale për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA, duke mbështetur një artikull në gazetën australiane “Sydney Morning Herald”.
Të dy ishin në të njëzetat, shkruan tutje policia në një deklaratë. Burri u dërgua në Spitalin John Hunter me lëndime të rënda në këmbë. Gruaja vdiq në vendngjarje.
Ekspertët tani do të përcaktojnë specien e peshkaqenit përgjegjës për sulmin, vazhdon deklarata.
Incidenti ndodhi në Crowdy Bay pranë kampingut Kylies Beach, rreth 350 kilometra në veri të Sidneit, përcjell albinfo.ch. Rajoni është mjaft i izoluar, por është shumë i njohur për vendasit dhe vizitorët për shkak të bukurisë së tij piktoreske.
Sulmi i peshkaqenit ndaj dy personave, tepër i rrallë
Një biolog detar ka thënë për gazetën Australian Guardian se është e rrallë që një peshkaqen të sulmojë më shumë se një person – megjithatë, kjo ndodh kur kafshët gjuajnë dhe përpiqen të mbajnë larg rivalët.
Tri specie vendase në rajon janë veçanërisht të rrezikshme për njerëzit: peshkaqenët tigër, peshkaqenët dem dhe peshkaqenët e bardhë të mëdhenj./Albinfo.ch.
Tregu shqiptar i real estate ka hyrë në një fazë transformimi të thellë, ku projektet me vlerë të qëndrueshme,...