Një vit nga 9 shkurti: Dy palë zgjedhje dhe vendi ende pa institucione të konsoliduara - Gazeta Express
string(85) "nje-vit-nga-9-shkurti-dy-pale-zgjedhje-dhe-vendi-ende-pa-institucione-te-konsoliduara"

Lajme

Gazeta Express

09/02/2026 12:59

Një vit nga 9 shkurti: Dy palë zgjedhje dhe vendi ende pa institucione të konsoliduara

Lajme

Gazeta Express

09/02/2026 12:59

Më 9 shkurt u bë një vit nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, të nëntat pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë. Megjithatë, vendi vazhdon të mbetet pa institucione të konsoliduara, madje edhe pas përfundimit të ciklit të dytë të zgjedhjeve të  parakohshme të mbajtura brenda vitit 2025, përkatësisht më 28 dhjetor.

Zgjedhjet e para përfunduan në një ngërç që pamundësoi formimin e Qeverisë, ndërsa procesi i dytë aktualisht ndodhet në fazën finale të ankesave në Gjykatën Supreme, në pritje të certifikimit përfundimtar të rezultatit zgjedhor.

Procesi i fundit u lëndua për shkak të dyshimeve për manipulime me vota, gjë që bëri që komunat të shkojnë rinumërim, ndërsa në disa prej tyre u arrestuan edhe kryesues të vendvotimeve.

Pavarësisht krizës institucionale, vullneti qytetar pësoi ndryshime të thella mes dy proceseve, duke rikonfiguruar forcën politike në Kuvend.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) shënoi rritjen më të madhe, duke kërcyer nga 42.30% (48 ulëse) në zgjedhjet e para, drejt një fitoreje bindëse prej 51.10% (57 ulëse) në të dytat.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tregoi stabilitet relativ me një rënie të lehtë, duke zbritur nga 20.95% (24 ulëse) në 20.19% (22 ulëse).

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pësoi tkurrjen më të thellë, duke rënë nga 18.27% (21 ulëse) një vit më parë, në 13.24% (15 ulëse) së fundmi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila herën e parë mori 7.06% (5 ulëse) në koalicion me NISMËN (3 ulëse), kësaj radhe si e vetme siguroi 5.50% (6 ulëse), ndërsa NISMA mbeti jashtë Kuvendit.

Përtej numrave, kriza e shkaktuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nxori në pah një problematikë tjetër.

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte bllokadë politike, fillimisht në verifikimin e mandateve të deputetëve, më pas për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe në fund për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Me gjithë përplasjet, deputetët e legjislaturës së nëntë arritën të kryejnë vetëm një punë: atë të zgjedhjes së Kryesisë së Kuvendit. Por, më 19.11.2025, dhjetë ditë pasi kaluan nëntë muaj nga përfundimi i zgjedhjeve të 09.02.2025, ky Kuvend dështoi përfundimisht të zgjedh qeverinë e re- në përpjekjen e dytë dhe të fundit.

Më shumë se tre muaj më vonë, pasi Kosova tashmë kishte përmbyllur edhe zgjedhjet e parakohshme, Gjykata Kushtetuese nxori vendimin se zgjedhja e Rashiqit ishte jokushtetuese.

Ky aktgjykim vendos një standard të ri dhe të detyrueshëm për konstituimin e Kuvendit. Tani mbetet për t’u parë nëse Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të fundit, do të arrijë ta respektojë këtë standard të ri.

Presidentja Vjosa Osmani, më 20.11.2025 shpërndau legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28.12.2025.

Kosova po funksionon që gati një vit me Qeveri në detyrë.

Mandati i rregullt i Qeverisë të dalë nga legjislatura e tetë ka përfunduar më 22 mars 2025.

Vendi është në pritje të një Qeverie të re.

Me përfundimin e procesit të ankesave në Gjykatën Supreme që nuk duhet të marrë më shumë 30 ditë nga certifikimi i rezultatit, Kuvendi i ri duhet të thërras seancë për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Fillimisht, Presidentja e vendit mandaton kandidatin për Kryeministër i cili brenda 15 ditësh duhet pas emërimit duhet të paraqesë para Kuvendit përbërjen e Qeverisë e cila duhet të marrë së paku 61 vota nga deputetët.

Mirëpo, Kosova kësaj radhe e ka përballë edhe zgjedhjen e Presidentit.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i mandatit të Presidentit aktual.

Në rrethanat e tanishme, i bie që Presidenti i ri duhet të zgjidhet më së largu më 05.03.2026, pasi Presidentes Vjosa Osmani i përfundon mandati më 04.04.2026.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, që i bie 80 vota në total, teksa në raundin e tretë, Presidenti zgjidhet me 61 vota. /Kallxo

Advertisement
Advertisement
Advertisement