Një vit inat, zyra e Kurtit e mbyllur për Ramën - vizita që konfirmoi hidhërimin e kryeministrave - Gazeta Express
string(94) "nje-vit-inat-zyra-e-kurtit-e-mbyllur-per-ramen-vizita-qe-konfirmoi-hidherimin-e-kryeministrave"

Lajme

Gazeta Express

11/06/2024 15:22

Një vit inat, zyra e Kurtit e mbyllur për Ramën – vizita që konfirmoi hidhërimin e kryeministrave

Lajme

Gazeta Express

11/06/2024 15:22

Për herë të dytë, kryeministri i Kosovës nuk e pret në takim kryeministrin e Shqipërisë. Kjo ndodh për herë të parë në marrëdhëniet ndërshtetërore. Mes marrëdhëniesh aspak të mira me Albin Kurtin, Edi Rama ishte të hënën në Kosovë, ku u prit ngrohtësisht nga presidentja Vjosa Osmani, e larguar tashmë nga tandemi me shefin e Qeverisë së vendit.

Gazeta Express

Erdhi në Kosovë për 25 vjetorin e çlirimit. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u takua të hënën në mëngjes me presidenten Vjosa Osmani. Më pas, siç nuk ndodh rëndom në vizitat e liderëve nga jashtë, ai nuk shkoi në Qeveri për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti. Shkoi të merrte pjesë në një konferencë për “Rugovën dhe Perëndimin”.

Osmani e priti ngrohtësisht Ramën, i cili e përqafoi dhe e puthi në faqe presidenten e Kosovës, një shenjë që konfirmoi disi edhe avancimin e madh në raportet mes tyre. Ato janë përforcuar sidomos prej verës së vitit të kaluar, pikërisht kur marrëdhëniet ndërmjet kryeministrave prekën pikën më të ulët, kur Kurti kishte refuzuar ta priste kryeministrin e Shqipërisë në Prishtinë, ndërsa këtë e kishte bërë Presidentja, e cila kishte qëndruar gjatë krah shefit të Qeverisë edhe në një betejë akuzash e kundër-akuzash me Ramën.

Për Kurtin, Rama i çoi disa mesazhe nga konferenca e organizuar nga LDK-ja, ku e vlerësoi lart Ibrahim Rugovën dhe tha se “urat e ndërtuara nga ish-presidenti i Kosovës, nuk duhet të shkatërrohen nga politikanët e sotshëm”.

“Kosova duhet të ndjekë shembullin e Rugovës për të ruajtur miqësinë me aleatët”, tha ai.

Ndonëse nuk e tha direkt, referenca ishte e qartë edhe kur tha se “sot jemi në një proces ku thellohet edhe më shumë qasja ndaj politikës së jashtme si politikë e brendshme” dhe se po ndodh “shfrytëzimi i platformave të komunikimit jashtë si tribuna për të marrë vota këtu”. Rama propozoi formimin e një ekipi uniteti për të dalur, siç tha, nga “loja macja me miun me Serbinë”.

“Kjo patjetër që mund të ketë sukses elektoral, por kjo e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve të vet ndërkombëtar. Dhe në këndvështrimin tim, meqë jemi sot për Ibrahim Rugovën, nëse Kosova do të dilte nga kjo lojë macja me miun në tryezë me Serbinë dhe me një ekip uniteti do t’i drejtohej Bashkimit Europian duke i thënë ‘ne nuk duam të flasim më me Serbinë se s’kemi çka të flasim me Serbinë ne jemi këtu për të folur me Bashkimin Europian, për të përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ne si Republikë e Kosovës, në kontekstin e standardeve ndërkombëtare dhe të Bashkimit Europian dhe për t’u afruar me ju. Pastaj se çfarë bën Serbia, është punë e Serbisë, shkoni dhe merruni me Serbinë”, tha ai.

Rama tha se Kosova duhet t’i zbatojë obligimet e veta në dialog, pavarësisht Serbisë.

“Por ky konfrontimi macja me miun në tavolinë, këto mbledhjet për t’u mbyllur brenda me orë, vetëm për të dalë pas mbledhjes për të thënë se sa fort i qëndrova unë tjetrit, në mënyrë të dyanshme, kuptohet, këto nuk çojnë asgjëkundi. Dhe unë nuk e kam kuptuar dhe as nuk kam për ta kuptuar ndonjëherë se çfarë lidhje ka e ardhmja e Kosovës, çfarë lidhje ka çdo detyrim që ka Kosova, jo në raport me Serbinë, por në raport me vetveten, që kërkon të hyjë në NATO, BE me se çfarë i bën e çfarë s’bën, çfarë i pëlqen e çfarë s’i pëlqen Serbisë”, tha ai.

Kryeministri shqiptar tha se “Serbia mund të mos dojë kurrë t’i qaset idesë se duhet ta njohë kurrë Kosovën”, por shtoi se “kjo nuk duhet ta pengojë Kosovën që të përparojë në pikën kur të gjithë ta pranojnë dhe ta njohin si një shtet model që përmbush të gjitha standardet për të qëndruar me të tjerët në komunitetin e shteteve”.

“Dhe unë jam i bindur që kjo gjë nuk është fantazi. Kjo gjë është e arritshme. Dhe jam i bindur që kjo do ta nxirrte Kosovën nga kurthi ku e ka futur Serbia me provokimet e veta të vazhdueshme, por edhe ku në njëfarë mënyre është futur për shkak të shfrytëzimit të politikës së jashtme si politikë e brendshme”, shtoi ai.

Rama tha se Kosova, ashtu si Shqipëria “nuk janë kërthiza e botës”. “Sa herë kemi menduar se jemi kërthiza e botës e kemi pësuar shumë keq dhe sa herë që kemi kuptuar që duhet të jemi si trimi i mirë me shokë shumë dhe se duhet ta kthejmë investimin e Ibrahim Rugovës dhe të tjerëve në një kapital në të ardhmen, aq herë ne ia kemi dalë ta bëjmë gjënë e duhur”, tha ai.

Kosova, tha ai, “nuk ka pse të humbi kohë duke vrapuar rreth vetes së vet”.

“I ka të gjitha ato që i duhen, i ka të gjithë partnerët, aleatët që i duhen, i ka të gjitha resurset e veta të mjaftueshme, ka talente, ka njerëz, ka energji, ka forcë, të gjitha. Thjesht dhe vetëm Kosova duhet t’ia tregojë targën Serbisë dhe të iki përpara dhe Serbia pastaj të bëjë çfarë të dojë se në fund të fundit nuk mund të mbahet fati i Kosovës i lidhur me interesat apo me pafuqinë e Serbisë për t’u përballur deri në fund me të shkuarën e vet”, tha Rama.

Qeveria e Kosovës: Rama po i takon ata me të cilët ka nevojë t’i rregullojë raportet

Kur u pa se një takim me Ramën nuk është në agjendë të Kurtit, Qeveria iu përgjigj interesimit të mediave për këtë çështje me njëfarë ironie.

Mediumi A2CNN publikoi një “reagim” të zëdhënësit të Qeverisë Përparim Kryeziut i cili komentoi takimet e Ramës.

“Në bazë agjendës së deritanishme, duket që në Prishtinë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet”, tha ai.

Kryeziu tha se Kurti e ka ftuar Ramën në një takim tjetër, më 12 qershor. Sipas tij, Zyra e Ramës ka thënë se ai nuk mund të jetë i pranishëm në atë datë.

“Në anën tjetër, Kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar Kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mund të jetë i pranishëm me 12 qershor. Ai është i mirëseardhur që t’i bashkëngjitet aktiviteteve të agjendës shtetërore. Urojmë që vjen në Manifestimin e 146-të vjetorit të Lidhjes së Prizren, sepse Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm e Kosovës”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të Qeverisë.

E mori “Çelësin e Qytetit” në Prishtinë

Pasdite, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shkoi në Komunën e Prishtinës, ku u prit nga kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.

Rama, piktori dhe Rama, arkitekti, kanë ndërtuar marrëdhënie të mira qysh prej kur u panë për herë të parë në qershorin e vitit të kaluar në një koncert të tenorit Ramë Lahaj në Ulqin, pas të cilit, kryeministri shqiptar thoshte se kishte gjetur “një djalë fantastik”, i cili i kishte bërë përshtypje të jashtëzakonshme.

Edhe aty, pritja për të ishte e ngrohtë. U nderua me “Çelësin e Qytetit”.

Edi Rama tha se ndjehet i nderuar që e mori Çelësin “nga Përparim Rama, Kryetari i Komunës së Prishtinës, kryeqytetit tjetër të shqiptarëve”, dhe tha se “tani është e sigurt që mund të vij pa marrë leje”.

Dy deputetë të LVV-së me kunja për Ramën

Pjesëmarrja e Ramës në konferencën e organizuar nga LDK-ja, për deputetin e LVV-së, Dimal Basha, ishte një tjetër mundësi për një tjetër postim në Facebook.

“Në mungesë të një vizioni të politikës së jashtme, LDK paska organizu konferencë edhe i paskan ftu ambasadorët me ju thënë që ne jemi krejt si Rugova, e me shpresë se ju dhez tek qytetarët. Ani për m’i bind ma shumë, e paskan marrë Edi Ramën!”, shkroi ndër tjerash Basha në një përpjekje për t’i treguar se “kjo LDK s’ka lidhje me Rugovën”.

Vizitën e Ramës e kishte përcjellë vëmendshëm edhe deputeti tjetër i partisë në pushtet, Enver Dugolli. Ai shkroi një postim në Facebook si reagim ndaj një deklarate të djeshme të Ramës se “pa Rugovën s’do të kishte UÇK”.

“Pa Fatos Nanon nuk do të kishte Edi Ramë”, shkroi Dugolli.

Jo më vëllezër

Rama u pyet në Prishtinë nëse ka ndonjë porosi për “vëllain e vogël”, Kurtin, që për herë të dytë nuk e priti në takim.

“Vëllain e vogël e kam në Tiranë, është drejtor i klubit ‘Partizani’, Olsi Rama””, tha kryeministri shqiptar.

Kurti dhe Rama dukej se i kishin rregulluar raportet pas një vizite të kryeministrit të Kosovës në Tiranë në vitin 2022, kur kryeministri shqiptar e quante vëlla.

Një vit më pas, kishte treguar se s’e konsideron më ashtu,

“Albin Kurtin e kam mik, Hashim Thaçin e kam vëlla, që të jemi shumë të qartë”, ishte shprehur ai në paraqitje të para një viti.

Kur nisi prishja serioze e raporteve Kurti-Rama

Ka kohë që Albin Kurti dhe Edi Rama nuk takoheshin si miq të mirë. Por gjithçka u bë më serioze kur kryeministri i Kosovës refuzoi ta priste kryeministrin e Shqipërisë në Prishtinë në verën e vitit të kaluar dhe më pas nuk i shkoi në një takim me liderët e rajonit në Tiranë.

Marrëdhëniet u çanë më së shumti pasi Rama e kishte anuluar një mbledhje të dy qeverive të paraparë të mbahej në qershor të vitit të kaluar dhe Kurti fliste për një “lëngim” në raportin Kosovë-Shqipëri.

Kryeministri shqiptar e konsideroi “të tmerrshëm” dhe “katastrofë” qëndrimin e kryeministrit të Kosovës përballë ndërkombëtarëve që i kërkonin t’i bënte disa hapa konkretë për shtensionimin e situatës në veri, gjë që u pasua nga vendosja e disa masave ndëshkuese ndaj vendit nga ana e BE-së.

Rama dje nuk ishte as në manifestimin për 146-të vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.