Një virus Déjà-Vu? - Gazeta Express
string(17) "nje-virus-deja-vu"

Një virus Déjà-Vu?

Gazeta Express

05/05/2020 12:09

Një shekull më parë, pas pasojave të menjëhershme të Luftës së Parë Botërore dhe pandemisë shkatërruese të gripit spanjoll, liderët politikë u treguan të paaftë për të gjetur përgjigjet e duhura për sfidat e mëdha me të cilat u përballën. Në trajtimin e krizës së shkaktuar nga COVID-19, qeveritë e sotme nuk duhet të përsërisin të njëjtat gabime katastrofike.

Autor: Dominique Moisi

Pandemia e COVID-19 po përshpejton tre tendenca themelore gjeopolitike: ngritjen e Azisë, rënien e Shteteve të Bashkuara dhe forcimin e Gjermanisë brenda Europës. Të kombinuara, këto ndryshime mund të jenë një shenjë e hershme e botës së vitit 2030. Por, para kësaj, liderët politikë duhet të kapërcejnë krizën aktuale dhe të mos përsërisin gabimet katastrofike të një shekulli më parë.

Lexo Edhe:

Sot e ardhmja dhe e kaluara duket se po përplasen. Tani që COVID-19 e ka futur brutalisht pjesën më të madhe të botës në ekonominë digjitale, shumë njerëz nuk do të dëshirojnë të kthehen në botën para-pandemisë, sikur ajo që ne po përjetojmë tani të ketë qenë thjesht një ndodhi e vogël.

Virusi nuk nënkupton fundin e globalizmit, por ka të ngjarë të jetë një ogur i keq për të. Për shembull, a do të duan akoma liderët të marrin pjesë në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos dhe të përzihen me kolegët e tyre, në vend që të krijojnë rrjete në mënyra që respektojnë normat e distancës sociale përballë një virusi vdekjeprurës?

Por mbi të gjitha, pandemia po konfirmon ngjitjen e Azisë – jo vetëm të Kinës – dhe rënien e Perëndimit, dhe sidomos të SHBA-së.

Deri më tani, fuqia më e fortë ushtarake në botë, Amerika, u çarmatos totalisht kur u përball me koronavirusin e ri. Sistemi i kujdesit shëndetësor të vendit nuk mund të përballonte shkallën e pandemisë (edhe pse SHBA-ja nuk është e vetme në këtë drejtim), ndërsa radhët e gjata të njerëzve që presin me durim të marrin pako me ushqime të sjellin në kujtesë imazhe të Depresionit të Madh para Marrëveshjes së Re . Dhe udhëheqësit politikë të Amerikës, karikatura të brutalitetit dhe oportunizmit, thjesht i bënë gjërat më keq, duke dëmtuar më tej imazhin ndërkombëtar të vendit në këtë proces.

Është e vërtetë që Amerika mund ta rifitojë një pjesë të dinjitetit dhe humanizmit të saj duke e lënë mënjanë presidentin Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Por kjo do të kërkojë që demokratët të bashkohen pas kandidatit të tyre, Joe Biden, siç e theksoi edhe ish-presidenti Barack Obama së fundmi.

Biden ka shumë gjasa të fitojë. Votuesit amerikanë mund t’i ndëshkojnë Republikanët për përgjigjen e tyre të keqe ndaj pandemisë dhe shkatërrimit ekonomik, ashtu si votuesit e Koresë së Jugut së fundmi e shpërblyen partinë qeverisëse të presidentit Moon Jae-in me një shumicë parlamentare absolute, pas përpjekjeve të deritanishme të suksesshme të administratës së tij për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Por edhe nëse Trump mposhtet, Amerika nuk do ta rimarrë dot pozicionin qendror global që ka pasur më parë për treçerek shekulli.

Rënia e Amerikës, megjithatë, nuk nënkupton që Kina do të mbajë pishtarin global. COVID-19 ka ekspozuar po ashtu mizorisht të metat e Kinës, përfshirë mungesën e transparencës së qeverisë së saj. Përhapja e koronavirusit atje solli një kolaps ekonomik dramatik në tremujorin e parë të vitit 2020 dhe vendi mbetet i prekshëm nga një valë e dytë e pandemisë. E gjithë kjo sugjeron që bota mund të bëhet jo polare, sesa bipolare.

Për më tepër, as Rusia dhe as Bashkimi Europian nuk mund të pretendojnë të mbushin boshllëkun në krye. Njësoj si Irani dhe Turqia, Rusia mund të dalë më e dobët nga kriza. Në fakt, presidenti Vladimir Putin mund t’’i druhet më shumë COVID-19 sesa partive opozitare të Rusisë.

Po Europa? Pas një përgjigje fillestare shumë të pasigurt ndaj pandemisë – për ta thënë më butë – BE-ja duket se do ta rimarrë disi veten falë tre lidereve të saj: kancelarja gjermane Angela Merkel, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe presidentja e Bankës Qendrore Europiane Christine Lagarde. Por kjo krizë ka demonstruar kryesisht më shumë forcën e Gjermanisë sesa aftësinë ripërtëritëse të Europës.

Pavarësisht se është vendi më i populluar i Europës, Gjermania ka regjistruar të paktën katër herë më pak vdekje sesa vendet e tjera kryesorë të BE-së, ndërsa Merkel, e cila deri para pak kohësh shihej gjerësisht si një lidere e çalë, ajo gëzon vlerësime më të larta besimi se çdo lider tjetër europian. Ajo ka dëshmuar se një politikan mund të ndjekë instinktet e tij etike – siç bëri në hapjen e kufijve të Gjermanisë për emigrantët në vitin 2015 – dhe të shihet prapë pas pesë vjetësh si mbrojtja më e mirë kundër frikës dhe pasigurisë.

Nëse vërtet historia po përshpejtohet si rezultat i COVID-19, atëherë duhet të kthejmë kokën nga e kaluara për të nxjerrë mësimet e duhura. Dhe viti i rëndësishëm në këtë drejtim është viti 1920.

Një shekull më parë, pas pasojave të menjëhershme të Luftës së Parë Botërore dhe pandemisë shkatërruese të gripit spanjoll, liderët politikë u treguan të paaftë për të gjetur përgjigjet e duhura për sfidat e mëdha me të cilat u përballën. Si rezultat, bota ra fillimisht në Depresionin e Madh dhe më pas në Luftën e Dytë Botërore.

Liderët e sotëm përballen me sfida të ndryshme, por po aq të frikshme. Në veçanti, ata duhet të arrijnë një ekuilibër delikat jo vetëm midis mbrojtjes së jetës së qytetarëve të tyre dhe rifillimit të ekonomisë, por edhe midis lirisë dhe sigurisë.

Nëse qeveritë i japin më shumë përparësi ekonomisë para shëndetit publik, atëherë ata rrezikojnë një valë të dytë COVID-19 që do të sjellë pasoja shkatërruese për të dyja. Po kështu, nëse ata i japin përparësi lirisë mbi gjithçka tjetër dhe shpërfillin kontributin e teknologjive të gjurmimit në zbutjen e pandemisë në Azi, ata rrezikojnë që një ditë, forca më pak të kujdesshme dhe të moderuara politike mund të zbatojnë parimet libertariane brutalisht dhe duke mos respektuar mirëqenien publike.

Në vitet 1920 dhe 1930, pacifizmi i lindur nga një luftë e tmerrshme kontribuoi në fitoren e fashizmit dhe një konflikt edhe më të tmerrshëm global. Sot nuk duhet të lejojmë që lakmia ekonomike ose libertarianizmi të na çojë në një rrugë për aq katastrofike.

/ Project Syndicate