Një vendim i zorit - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

02/04/2021 14:13

Një vendim i zorit

OP/ED

Gazeta Express

02/04/2021 14:13

Në situatën në të cilën gjendet, LDK nuk ka pasur zgjidhje tjetër më të mirë, sesa të përkrah Vjosa Osmanin për presidente. Çdo vendim tjetërfare do të mund ta dëmtonte edhe më shumë partinë. Një vendim i zorit, por që në të ardhmen mund të tregohet produktiv për LDK’në.

Imer Mushkolaj

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë vendim që ta mbështesë zgjedhjen e Vjosa Osmanit në postin e presidentes së vendit. Lidershipi i ri partiak ka vendosur që të mos i thotë jo zgjedhjes në postin më të lartë shtetëror të ish-anëtares së vet, e cila dëmtoi tepër shumë partinë në zgjedhjet e fundit.

Në një tjetër situatë, kur do të kishte arritur rezultat më të mirë në zgjedhje, LDK as që do të bënte veprimin më të vogël për ta mbështetur Osmanin. Mbase do të vepronte njësoj si PDK e AAK, parti që kanë bërë të qartë se nuk do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit kur të votohet presidenti. Por, LDK ka vendosur të veprojë ndryshe – jo pa arsye dhe për shumë arsye.

Një pyetje duhet shtruar të gjithë atyre që konsiderojnë se LDK është dashur të veprojë ndryshe: pse do të ishte më i mirë vendimi për të mos e mbështetur Osmanin? Përgjigjet mund të jenë të ndryshme, varësisht nga mëria, qasja hakmarrëse, inatet personale dhe mungesa e logjikës së shëndoshë. Por, në situatën e vështirë në të cilën gjendet partia, çfarëdo vendimi tjetër do të ishte shumë më i dëmshëm se ky që është marrë.

LDK nuk e ka luksin që për interesa personale të kujdoqoftë brenda partisë të rrezikojë ekzistencën e saj në të ardhmen. Supozohet se më se njëqind mijë votuesit që kanë braktisur këtë parti së fundmi, kanë votuar listën e Albin Kurtit shkaku i Vjosa Osmanit. Kryetari i ri i LDK’së beson se, duke e mbështetur Osmanin për presidente dhe duke e “bllokuar” në atë pozitë, do të arrijë që t’i kthejë këto vota në të ardhmen. Osmani duhet të largohet nga iniciativa politike që ka krijuar dhe, rrjedhimisht, nuk mund të pritet që ajo të vazhdojë së funksionuari sikurse me të në krye. Votuesit e saj mbase mund t’i kthehen LDK’së, të cilën e braktisën për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme ndër vite të lidershipit të kaluar.

Vjosa Osmani ka fituar më shumë se treqind mijë vota në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke u bërë kështu personi më i votuar ndonjëherë. Andaj, zgjedhja e kujdoqoftë tjetër në pozitën e të parit të vendit do të ishte mosrespektim i vullnetit të qytetarëve. LDK e di më së miri se çfarë ndodh po që se nuk respektohet ose keqpërdoret ky vullnet.

* * *

Është legjitim arsyetimi i PDK’së që të mos e votojë Vjosa Osmanin presidente. Por, tingëllon absurd. Ish-presidenti i PDK’së nuk është shembull se si duhet të sillet një president karshi kompetencave kushtetuese që ka. Andaj tingëllojnë fort ironike deklaratat e zyrtarëve të kësaj partie se nuk e mbështetin Osmanin për shkak se ajo qenka partiake dhe jounifikuese.

Si partia më e madhe opozitare, PDK do të duhej të ishte aktive në procesin e zgjedhjes së presidentit – në radhë të parë duke u koordinuar me partitë tjera në opozitë, mbase për të paraqitur edhe një tjetër kandidat. Por, PDK nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe, në anën tjetër, nuk ia ka dalë që refuzimin e vet karshi zgjedhjes së presidentit ta shndërrojë në një kauzë.

Mbetet sfidë për PDK’në dhe partitë tjera në opozitë se si t’i qasen pushtetit të Albin Kurtit. Gjasat janë që Kurti ta çojë deri në fund mandatin, ndryshe prej paraardhësve të tij në pozitën e kryeministrit.

Ashtu si LDK që, megjithatë, reflektoi dhe bëri disa ndryshime të nevojshme në lidership, edhe PDK duhet ta ndjek të njëjtën rrugë. Në radhë të parë PDK duhet të pajtohet me faktin se kryetari i partisë nuk është në Kosovë dhe nuk dihet kur mund të kthehet. Po ashtu, një reflektim për rezultatin e zgjedhjeve dhe marrja e përgjegjësisë nga kreu i saj, që nënkupton zgjedhje brendapartiake, do të bënte që partia t’iu përshtatet rrethanave të reja, të krijuara pas 14 shkurtit.

Vetëm një bashkëpunim i sinqertë dhe serioz opozitar mund t’i bëjë rezistencë qeverisjes së Albin Kurtit, një qeverisje ndryshe nga të mëhershmet edhe për shkak të konstelacionit të fuqisë politike. Mbetet të shihet se si do të reflektohet në LDK vendimi për mbështetjen e Osmanit, por dyshoj se dikush tjetër ka pasur një ide tjetër më të mirë.

* * * Vjosa Osmani si presidente duhet ta respektojë kushtetutën dhe të mos e keqpërdor atë për interesa personale ose partiake. Ështëe qartë se mbështetja e madhe ndërkombëtare për të, po ndodh me idenë se ajo do të arrijë që t’i krijojë një baraspeshë qeverisjes së Kurtit. Mundësinë e ka, mbetet të shihet si do ta përdor.