Mbrëmë, në Kino Armata, u shfaq filmi dokumentar me metrazh të shkurtër, ’Përtej territ’, i regjisores Donjeta Mejtani
Nga Valona Hasani
‘Kam mendu që veç familja s’ma kthen shpinën, po edhe ajo ma ktheu’, ishte një fjali e thënë nga një grua e guximshme.
Gruaja që ishte rrahur brutalisht nga bashkëshorti për vite me radhe, vendosi që historinë e saj ta ndante me qindra persona të tjerë.
Film dokumentar me metrazh të shkurtër i regjisores Donjeta Mejtani po shfaqej rreth orës 19:00 në Kino Armata.
Salla u mbush plotë, vërehej një interesim për këtë film të titulluar ‘Përtej Territ’.
Regjisorja ia kishte vendosur këtë titull ‘Përtej Territ’, sikur të thoshte që pas territ, po fshihej një dritë, ose sikurse thonë po pres dritën në fund të tunelit.
Ndodh shpeshherë që disa karrige në fillim të mbetën të zbrazëta. Pikërisht ato që me një letër të tipit A4 shkruhet ‘e rezervuar’, sigurisht për të parët e institucioneve. Disa të tjera të këtij llojit nuk pritën deri të përfundojë dokumentari 25 minutash, ikën më herët.
Film dokumentari rrëfen historinë e tri grave të abuzuara seksualisht, të dhunuara fizikisht e psikikisht ndonjëherë nga burrat e tyre, e herave të tjera nga persona me uniformë, madje edhe nga kalimtarët e rastit.
Kalimtarët e rastit si ngacmues seksualë
Gruaja e parë që shfaqej në filmin dokumentar tregonte ngjarjen që i kishte ndodhur para disa vitesh në një stacion të autobusëve.
Stacioni është një vend ku udhëtarët ndalojnë dhe presin derisa të vijë autobusi për t’i dërguar në destinacionin e dëshiruar.
Në Kosovë, stacioni i autobusëve shpërfaq traumat e kësaj gruaje, ngufatjen, tmerrin që kishte përjetuar atë mbrëmje, e shumë e shumë mbrëmjeve të tjera të kthyera në kujtesë.
Në një mbrëmje, kjo grua kishte vendosur që të udhëtonte nga një fshat për në fshatin tjetër. Gratë, vajzat thënë më specifikisht s’kanë frikë nga terri, por nga tmerri kur e shohin që një person i gjinisë së kundërt është afër tyre.
Gruaja që e thoshte narrativen e kësaj ngjarjeje, tregonte se si një burrë i moshuar kishte tentuar ta dhunonte, duke e dërguar në një vend ku bari do t’ia mbulonte pjesën e trupit.
Presioni që kishte ushtruar mbi gruan ai burrë kishte shqyer edhe pallton e saj dhe duart e tij ishin mbi fytin e saj.
Gruaja kishte shpëtuar, por traumat ishin gjithnjë aty si hije.
‘Kam mendu që veç familja s’ma kthen shpinën, po edhe ajo ma ktheu’
Gruaja e dytë që kishte vendosur historinë e saj ta ndante me publikun, shpjegonte ngjarjen e dhunës dhe torturës së vazhdueshme.
Si përfundim tregonte neglizhencën institucioneve, duke mos bërë asgjë prej gjëje për një grua dhe për qindra të tjera që vendosin të mos flasin për shkak të paragjykimeve e kërcënimeve.
Personi i dytë që ishte dhunuar, rrahur e keqtrajtuar në forma të ndryshme, nuk e mbështeti as familja. As familja!
Madje kishte fjetur mbi dy javë te hekurudha e trenit.
Gruaja ishte dërguar në strehimore.
Por, çfarë pastaj? Ku janë institucionet?
Dhunuesi duhet të shkojë në burg, unë në shtëpi teme
‘Jam detyru me katër fëmijë, në katër t’mëngjesit me mrri në strehimore. M’u ka dok tmerr, jam ndje shumë keq, kam kajt. Pse mos me shku dhunuesi n’burg, e unë me u kthy n’shpi tem? Po dhunuesi u leju i lirë, e unë me katër fëmijë në strehimore’, ky paragraf tregon çdo gjë, pa pasur nevojë të shtojë ndonjë gjë tjetër.
Kjo grua, ishte e pranishme edhe në diskutimin pas përfundimit të film dokumentarit.
Njëra nga gratë kishte kërkuar ndihmën tek institucionet, njëri nga policët që në atë kohë kishte gradën e rreshterit i kishte thënë kështu: “Me pas qenë gruaja jeme, nuk ta kisha heq kryt me sakicë, ta kisha pre me sharrë kadal dale”.
Për kë po mbajmë protesta, kundër kujt po dalim?
Ata dhunues që marrin guximin, jo veç gratë, por edhe fëmijët t’i dhunojnë, ata nuk dënohen, përkundrazi në krah kanë policë të tillë që e motivojnë në krimet makabre. Kundër kujt dilet kur përgjegjësit nuk marrin përgjegjësi? Ku të sigurohen gratë e dhunuara kur në polici s’ka siguri? Ku të kërkojnë drejtësi gratë e dhunuara, kur prokurori i thotë së do të ngrejë padi kundër saj, sepse ka sjellë prova si dëshmi në gjykatë?
‘O vdekje, o liri!’
‘Përtej Territ’, filmi dokumentar i bazuar në ngjarje të vërteta, në rrëfime të vërteta, ka shpresë së do të dalë jashtë kufijve të Kosovës. E pyetur nëse ky film dokumentar do të marrë rrugën ndërkombëtare, Donjeta Mejtani, autorja e filmit, tha se dëshira dhe përpjekjet do të jenë që zëri i këtyre grave, guximi i tyre të dalë edhe jashtë vendit tonë.
Guximi i këtyre grave që të flasin është i njëjtë me guximin e Prometeut që ta grabisë zjarrin për njerëzimin, të revoltohet pa i marrë parasysh pasojat. Kosova si para luftës si pas mbeti vendi i padrejtësive për gratë, vend i pasigurt për gratë, vendi që po i shuan ato.
Njëjtë siç tha në fund njëra prej grave të dhunuara fizikisht e psikikisht ‘o vdekje, o liri’.
/Gazeta Express