Një tjetër mjek humb betejën me COVID-19, ministria jep detajet - Gazeta Express
string(62) "nje-tjeter-mjek-humb-betejen-me-covid-19-ministria-jep-detajet"

Gazeta Express

06/07/2020 9:16

Një tjetër mjek humb betejën me COVID-19, ministria jep detajet

Gazeta Express

06/07/2020 9:16

Koronavirusi shënon viktimën e dytë në radhët e bluzave të bardha në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se ka ndërruar jetë mjeku i familjes dr. Hysni Shkjau 69-vjeç, i cili ishte shtruar në Spitalin Infektiv në gjendje të rëndë.

Lexo Edhe:

Gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi ditët e fundit, për shkak të probleme me frymëmarrjen, por edhe komplikacioneve prej sëmundjeve bashkëshoqëruese.

Ai la pas një kontribut 40-vjeçar me misionin e mjekut, duke shërbyer në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës, edhe përgjatë periudhës së pandemisë.

“Ministria e Shëndetësisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta këtë mëngjes të dr. Hysni Shkjaut, i cili nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit të infektivit për kolegun e tyre.

Dr. Hysni Shkjau, 69-vjeçar, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës.

Luftonte prej disa ditësh me COVID19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime famljarëve, miqve dhe kolegëve. Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për 40 vite komunitetit të tij.

Ministria e Shëndetësisë i rikujton qytetarëve të mos e ulin vëmendjen për zbatimin e rregullave, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm që prek këdo, pa dallim!”, njofton MSH.

Pak ditë më parë u nda nga jeta një tjetër mjek. Arjan Pushi mjeku i Hematologjisë në QSUT mbylli sytë në moshën 58-vjeçare, pasi nuk mundi të fitonte betejën me Covid-19.