Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se ekipet e shpëtimit gjetën trupin e pajetë të një shtetasi kinez, pas përmbytjes së një anije në lumin Danub, në pjesën veriperëndimore të Serbisë.
Sipas njoftimit, shërbimet e shpëtimit në Serbi gjetën katër shtetas kinezë të lënduar, ndërsa ekipet kroate të shpëtimit nxorën nga lumi Danub edhe pesë kinezë të tjerë.
“Gjatë një operacioni të shpëtimit në Baçko Novo Sello u nxor nga uji një shtetas kinez, i cili ishte i vdekur. Po ashtu, katër shtetas kinezë të tjerë morën ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve deri tani, policia kroate ka nxjerrë nga lumi Danub pesë shtetas kinezë – tre burra dhe dy gra”, njoftoi Ministria serbe e Punëve të Brendshme.
Po sipas saj, Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad e kualifikoi këtë ngjarje si vepër penale të kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror dhe kontrabandës së njerëzve, dhe po ndërmerr masa dhe veprime për të përcaktuar të gjitha rrethanat e saj.
Sipas informacioneve jozyrtare, në bord ndodheshin 10 shtetas kinezë dhe një shtetas serb, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Policia është duke vazhduar hetimet.
Njësi të specializuara të shpëtimit në ujë nga Serbia dhe Kroacia janë dërguar gjithashtu për ndihmë.
Që nga viti 2017, Serbia dhe Kina kanë një regjim pa viza, i cili u lejon qytetarëve të të dyja vendeve të qëndrojnë ose të kalojnë transit në territoret e njëri-tjetrit deri në 30 ditë pas hyrjes. /REL/