Një shqiptar në Venecia, Alban Ukaj në filmin “Quo Vadis, Aida”, publiku e duartroket këtë film për dhjetë minuta - Gazeta Express

Një shqiptar në Venecia, Alban Ukaj në filmin “Quo Vadis, Aida”, publiku e duartroket këtë film për dhjetë minuta

Arte

Gazeta Express

04/09/2020 11:05

“Quo Vadis, Aida” është prezantuar me premierë sonte në Festivalin prestigjioz të filmit në Venecia, dhe audienca e atjeshme duket të jetë mahnitur me punën tetë vjeçare të regjisores Jasmila Zbanic. Publiku,  ekipin e filmit e ka duartrokitur për dhjetë minuta rresht, kurse Alban Ukaj ekskluzivisht në një intervistë për KultPlus ka thënë se ky film, do të jetë filmi që nuk ka për ta harruar për tërë jetën.

Me regji të Jasmila Zbanic, filmi “Quo Vadis, Aida” po garon në një ndër festivalet më prestigjioze të botës, përkatësisht në edicionin e 77-të të Venice International Film Festival, në konkurrencë zyrtare, e që në bosht ka një dhimbje shumë të madhe, masakrën e mbi 8 mijë civilëve të Srebrenicës, shkruan KultPlus.

Mediet prestigjioze të botës janë bërë sy e vesh për prezantimin e këtij filmi nga Bosnja e Hercegovina, Austria, Rumania, Holanda, Gjermania, Polonia, Franca, Norvegjia e Turqia, e për këtë projekt është investuar me një fond prej afro katër milionë euro.

Filmi “Quo Vadis, Aida”, është i bazuar në një ngjarje të vërtetë, të një përkthyeseje ndërkombëtare e cila ka shërbyer në atë periudhë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Zbanic që është shpërblyer me filmin e saj “Grbavica”, ku edhe në vitin 2006 pat fituar Ariun e Artë në Berlin, duket se sërish ka kthyer vëmendjen e medieve dhe kritikëve të filmit.  

Por filmi “Quo Vadis, Aida”, ka edhe një margaritar tjetër në ekipin e filmit. Është aktori shqiptar Alban Ukaj që luan në këtë film dhe ka rolin e përkthyesit Tarik.

Pogledajte insert iz filma Jasmile Žbanić o genocidu u Srebrenici – “Quo vadis, Aida”

Enjoy the videos and music you love, upload original content, and share it all with friends, family, and the world on YouTube.

Alban Ukaj në intervistë ekskluzive për KultPlus për përvojën me këtë film ka thënë se filmi “Quo Vadis, Aida” do të mbetet filmi që nuk do ta harrojë asnjëherë në jetë.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e filmit të ri të regjisores Jasmila Zbanic”, ka thënë Ukaj për KultPlus, i cili ka thënë se përgjatë xhirimeve ai ka përjetuar ndjenja të përziera,  edhe ndjenja të bukura por edhe aso të dhimbjes, duke pas parasysh temën e rëndë të këtij filmi. “Është një prej filmave më studioz që është bërë ndonjëherë për Srebrenicën”, ka thënë Ukaj, i cili shpjegon më tej, se në këtë film ka luajtur rolin e një përkthyesi, i cili ka humbur anëtarët e familjes.  

“Nuk do ti harroj xhirimet e këtij filmi asnjëherë, dhe besoj se të njëjtën ndjesi do ta kenë krejt aktorët e këtij filmi, sepse ky film ka lënë vulë në secilin prej nesh. Do ta kujtojmë krejt procesin e këtij filmi, e besoj që për regjisoren do të jetë edhe një ndjesi më e veçantë, e cila ka punuar mbi tetë vjet për realizimin e filmit “Quo Vadis, Aida””, ka thënë Ukaj.

Ukaj ka thënë se ky film aq shumë ka krijuar një lidhje mes aktorëve, duke mos i përjashtuar as figurantët që ishin pjesë e këtij filmi.

Kurse për premierën e sotme në Venecia të Italisë, Ukaj ka thënë se ka pas shumë dëshirë të jetë në mesin e kolegëve, por si pasojë e pandemisë nuk ka mund të lëvizë.

“Pas Venecias, filmi do të shfaqet në Toronto, mezi po pres ta shoh këtë film, por po kam durim deri sa të vjen momenti që ta shoh në kinema, këtë film nuk dua ta shoh në një format tjetër, vetëm në kinema”, ka thënë Ukaj.

Ukaj për filmin “Quo Vadis, Aida”, ka thënë se ka një rol më të vogël, po ai e vlerëson te jetë shumë i madh për të, duke pas parasysh përvojën dhe kënaqësinë që ka mar nga ky film.

Jasna Duricic është aktorja që luan kryesor në këtë film, kurse në këtë film janë të përfshirë edhe shumë aktorë të tjerë, që janë të treguar edhe në filma më të hershëm. KultPlus ju sjell momentet e duartrokitjeve pas premierës në Venecia, ku audienca e atjeshme është ngritë në këmbë për të nderuar ekipin e këtij filmi.