Një shërbim për “kumbarën” - Gazeta Express
string(24) "nje-sherbim-per-kumbaren"

Një shërbim për “kumbarën”

OP/ED

Gazeta Express

05/03/2021 21:28

E çuditshme se si urdhërarresti ndaj Milan Radoiçiqit u tërhoq pak kohë para formimit të institucioneve të reja. Si njeriu kryesor i Listës Serbe dhe një ndër krerët e krimit të organizuar në veri, ai shfaqej edh si “kumbar” i koalicioneve qeveritare në Prishtinë. Krim e politikë bashkë.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Fare pak reagime pati për tërheqjen e urdhëarrestit ndaj Milan Radoiçiqit. Me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, bosi i veriut më nuk është në kërkim. Radoiçiq po kërkohej për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, si dhe për posedim të narkotikëve. Bashkë me Zvonko Veselinoviqin, ata konsiderohen krerë të krimit të organizuar në veri të vendit, siç i cilësoi edhe ish-prokurori Sylë Hoxha, i cili hetoi rastin e vrasjes së Ivanoviqit.

Në debatin “Kallxo Pernime”, prokurori tash në pension tregoi se kishte pasur presion nga persona të cakruar që ta tërheq urdhërarrestin. Ai tha, po ashtu, se për veprimet e Radoiçiqit në veri ishin në dijeni edhe “shefat në Prishtinë”. E “shefat në Prishtinë” mund të supozohet kush janë. Natyrisht, njerëz të politikës.

Tërheqja e urdhëarrestit para se të certifikohen zgjedhjet e 14 shkurtit dhe para krijimit të institucioneve të reja ka ngritur pikëpyetje të shumta. Politika kryesisht ka heshtur, por përgjigjja duhet kërkuar pikërisht nga politika.

Në petkun e politikanit, si nënkryetar i Listës Serbe, Milan Radoiçiq kishte depërtuar edhe në një ndër zyrat më të rëndësishme të shtetit, atë të kryeministrit, në kohën e Ramush Haradinajt. Para se të bëhej kryeministër i PAN’it, Haradinaj e Radoiçiq ishin parë në një restoran në Prishtinë. Aty ishte kërkuar mbështetja e Listës Serbe për qeverinë e re. Mbështetja nuk vonoi të vinte, ndonëse deputetët e Listës Serbe u desh të priteshin disa orë, deri sa erdhën nga Beogradi për ta votuar qeverinë e Haradinajt.

Në një konferencë për gazetarë, kohë më pas, ai kishte thënë se me Radoiçiqin një takim dyorësh e kishte pasur edhe Hashim Thaçi, madje ai e kishte gjetur Radoiçiqin në zyrën e presidentit dhe i ishte bashkuar takimit.

Se çfarë ka kërkuar një person si Radoiçiq në zyrat shtetërore nuk dihet saktësisht, por është e vërtetë se koalicionet qeveritare të viteve të fundit janë krijuar me ndihmën e Listës Serbe, madje kanë qenë të varura nga ky subjekt. Me përjashtim të qeverisë së Albin Kurtit më 2019.

* * *

Ato që i fliste prokurori Sylë Hoxha ka kohë që janë sekrete publike në Kosovë. Se Veselinoviq, e më pas Radoiçiq janë bosët e krimit në veri nuk e konteston askush. Por edhe se ata nuk kanë mundur të veprojnë atje pa, në mos mbështetjen, atëherë lejen nga Prishtina, është evidente.

Gazeta Insajderi raportonte katër vjet më parë se Radoiçiq kishte 50 dosje kriminale. Ndërkaq Veselinoviq ishte identifikuar nga inteligjenca e policisë ndërkombëtare në Kosovë si kriminel dhe trafikant armësh, karburanti e droge. Në të gjitha këto veprimtari, ai kishte bashkëpunuar me shqiptarë. Insajderi raportonte, po ashtu, se Radoiçiq, babai i gruas së Veselinoviqit, kontrollon pakicën serbe në veri dhe, po ashtu, Listën Serbe, pavarësisht se kryetar partie është dikush tjetër.

Nuk mund të jetë e rastësishme se pse pikërisht tash hiqet urdhërarresti ndaj Radoiçiqit, aq më pak nën arsyetimin se bëhet fjalë për “taktikë të hetimit”. Sipas prokurorit Hoxha është dashur të zhvillohet procedura penale ndaj tij, sepse ka elemente të bollshme. Por, ja që dikush ka menduar ndryshe.

Sipas Hoxhës, sa ai kishte qenë prokuror, njerëz të politikës ia kishin zënë derën për të negociuar për Radoiçiqin. Pra, politikanë shqiptarë kërkonin që Radoiçiqit t’i hiqet urdhërarresti. Pse? Si është e mundur që të kërkohet nje vendim i tillë për një person me dhjetëra dosje kriminale? Cili është interesi i tyre që ai të mos arrestohet? Janë pyetje retorike, sepse përgjigjet në një formë a tjetër janë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve në Kosovë.

Tash dy dekada veriu ka mbetur një zonë krimi e kontrabande, një zonë nën kontrollin real të të fortëve si Veselinoviq e Radoiçiq. Një zonë e mbajtur peng nga krimi edhe me vullnetin e “shefave në Prishtinë”.

* * *

Sa më e vogël të jetë fuqia politike dhe vendimmarrëse e Listës Serbe, aq më mirë për vendin. Ky subjekt partiak, që është kundër pavarësisë së Kosovës, është dorë e zgjatur e Beogradit në shtetin e ri. Nuk është e rastësishme as masakra zgjedhore me votat për komunitetet joserbe, gjatë zgjedhjeve të fundit. Është vështirë e besueshme që ky skenar të ketë ndodhur pa mbështetje nga Prishtina – siç nuk ka munguar mbështetja e bashkëpunimi vite me radhë, për ta mbajtur veriun peng të krimit e kontrabandës.

Nuk duhet lejuar që qeveria e vendit të varet nga votat e Listës Serbe, e as që kumbar koalicionesh të jenë njerëz si Milan Radoiçiq. Është koha të ndodh shkëputja me krimin dhe me politikën e kriminalizuar.