Një shënim nga Klinika e Syve - Gazeta Express
string(29) "nje-shenim-nga-klinika-e-syve"

Një shënim nga Klinika e Syve

OP/ED

Gazeta Express

30/01/2024 14:49

Ambiente të zymta, gjithë trishtim dhe dëbuese, stërngarkim me pacientë dhe kontrolle të shpejta mjekësore… A do të mund të përmirësohej gjendja e klinikave të QKUK me fondet që ndahen për armatim

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Nuk e di nëse çfarë do të shkruaj do të ketë ndonjë ndikim për të mirë, më tepër shkoj me mendjen dhe frikën se mund të ngjallë mërinë e ndokujt, thjesht për shkak të ndonjë keqkuptimi. 

Kah mesi i dhjetorit të vitit të kaluar isha në Klinikën e Oftalmologjisë për të caktuar një termin për kotroll. Duke qenë se ishte hera e parë që shkoja aty dhe duke qenë se me gjasë edhe nëse do të më kenë folur për të s’do t’ua kem vënë veshin, gjëja e parë që më ra në sy, duke përshkuar shkallët që ngjisnin në katin e parë, ishin bishtat e cigareve në shkallare dhe vjetërsia, gërryerja e tyre, që linte të besohej (edhe nëse do të merrje mundin e dreqit t’i pastroje) se nuk ishin pastruar kurrë. Por, do të kuptoja menjëherë, kjo ishte vetëm hyrja në një portë të përkeqësimit progresiv. Në kërkim të recepsionit, hyra në anën e majtë të klinikës dhe ajo që më ra kokës ishte një korridor i vrugët, aspak miqësor, me një ndiçim të zbehtë elektrik, me mure të lyera ndoshta herën e parë dhe të vetme në kohën e inaugurimit (që i bie dekada e dekada më parë), me një ngjyrë të mbyllët tepër refuzuese. Kah fundi i korridorit ishte një sportel i vogël, si kioskat e paraluftës, me një regjistër të madh poshtë dritares ku punëtorja mbante shënimet e saj. Nejse, pas një endjeje nga kati në kat, me një atmosferë të tillë të zymtë, trishtuese dhe dëbuese, në kërkim të mjekut që më ishte rekomanduar, kuptova se ekzistonte edhe kati zero, aty ku në të vërtetë duhej të caktoja terminin (budallallëku im, kaq gjë të thjeshtë duhej të kisha kuptuar vetë). Kati zero kishte hyrjen kryesore nga mbrapa ndërtesës, ku ishte parkingu (sipas të gjitha gjasave të hapur më vonë) dhe nëse kishe hyrë nga hyrja e përgjithshme e klinikës nuk kishte askund asnjë shenjë që të të dërgonte andej.

Termini që m’u caktua ishte pas plot një muaji e gjysmë.

Po vrisja mendjen, pastaj, problemi im nuk ishte edhe ndonjë gjë aq e madhe, asgjë urgjente tekembramja. Por nëse kjo ishte praktikë e përgjithshme, çfarë ndodhte me gjithë atë pacientë që kishin nevoja më urgjente dhe detyroheshin të prisnin kështu, në vlugun e shqetësimeve, në limbin e pritjes dhe pasigurisë? Të prisnin njëherë për një termin të vizitës mjekësore të përgjithshme e pastaj edhe një termin tjetër, muaj e muaj, për intervenimet përkatëse?

Sidoqoftë, dje pata vizitën mjekësore, nga e cila dola me përshtypje përgjithësisht edhe më të këqija se herën e parë kur kisha shkuar për të caktuar terminin.

Qysh në fillim, nga ora shtatë e gjysmë, ajo që të bie në sy është grumbullimi i pafundmë i njerëzve në sallën e pritjes, e cila në të vërtetë është thjesht një korridor i hapur, me ca ulëse metalike ngjitur për murit, disa sosh tashmë të shkatërruara dhe nga të cilat, të paktën dy a tri herë, pashë pacientë të rrezikonin seriozisht të rrëzoheshin. Ajo që do të duhej të ishte rend dhe rregull, do të thotë pajisja me numrin e rendit të vizitës, dukej se nuk kishte ndonjë efekt te pacientët, të cilët, me të filluar orari i vizitës në orën tetë, tërë kohës ia mësynin derës së ambulancës ku kryheshin vizitat. Për më keq, nuk kishte as tabelë digjitale që do të tregonte rendin e numrave, për pasojë sa herë që hapej dera nga infermierja për të thirrur emrin/numrin e radhës suleshin një mori pacientësh, shumica në moshë dhe të dërrmuar nga hallet. Hyrje-daljet ishin të pandërprera derisa mjeku në detyrë, në këtë rast vetë drejtori i klinikës, kryente vizitat. Kur më erdhi radha ishte po kështu dhe di se teksa po rrija në ulësen e vetme të vizitës në një sallë prej rreth njëzet metrash katërorë, ndihesha sikur kisha mbi krye një luzmë njerëzish, zhytur në një kakofoni zërash si në një stacion autobusi. Meqë duhej të bëja edhe një vizitë pas gjysmë ore, infermierja, sipas procedurës, më hodhi ca pika në sy, pa e çarë kokën të ma thoshte një fjalë të vetme rreth efektit të tyre. Kur dola në korridor pashë se kisha turbullim sysh, por s’e mora për të madhe. Duke qenë se korridori ishte pak i errët, efekti nuk ishte aq i fortë, siç do ta kuptoja më vonë. Në vizitën e radhës pas gjysmë ore, mjeku thjesht ma tha diagnozën, në sallën e stërngarkuar tashmë me edhe tre pacientë të tjerë që u futën pa radhë nga një mjek tjetër  (persona me aftësi të kufizuar shikimi, e mirëkuptueshme). Pas kësaj dukej sikur s’më mbetej veçse t’i kapja plaçkat e mia dhe t’iu hiqesha sysh që të mos i bezdisja. M’u duk vetja si një person i papërgjegjshëm që futet në mesin e të tjerëve, edhe i paftuar edhe disi sikur s’kanë ku të të çojnë, përndryshe… Asnjë fjalë më sqaruese për diagnozën, asnjë këshillë, asnjë afërsi që do të kërkonte raporti mjek-pacient.

Kjo nuk është për të fajësuar shërbimin në parim, punën e mjekëve në përgjithësi. Është për të shpjeguar një proces. Është për të përshkruar një sistem që duket aq i mbrapshtë. Ngase unë, e mbase edhe mund të jem gabim, nuk e kam të qartë se si është e mundur që një mjek i vetëm të vizitojë rreth pesëdhjetë pacientë në harkun kohor prej një orë e gjysmë. Do të thotë, ai mund ta bëjë, ata e bëjnë, e bëjnë për ditë, por cila është cilësia e vizitës në këtë rast? Cili është raporti human mes mjekut dhe pacientit në një gjendje të tillë? Apo qasja ime është krejtësisht e gabuar?

Sipas të gjitha gjasave, një prej arsyeve pse në QKUK ka një gjendje të tillë është edhe mungesa e spitalit të qytetit në Prishtinë. Një arsye tjetër mund të jetë mungesa e një stafi më të gjerë. Dhe në fund, për ta rënduar gjithë këtë, është pra infrastruktura e vjetëruar dhe dëmtuar, e cila të jep gjithë atë ndjesi të pështirë kur futesh brenda mureve të këtyre klinikave.

Kur dola nga klinika, në qiellin e hapur, në dritë të plotë, për një moment gati se më kaploi verbimi për shkak të atyre pikave të syve, për efektin e të cilave pra as që ishte munduar të më paralajmëronin. S’mund t’i hapja sytë. Siç do të mësoja pastaj, kjo ishte krejt e natyrshme, thjesht duhej ta kisha ditur. Mbase duhej ta kisha ditur vetë, kushedi.

Në pamundësi që të ecja deri te banesa, në atë pak errësi brenda taksisë, m’u kujtua se si pak kohë më parë, pak idiotë në krye të shtetit, kishin ndarë mendjen të blinin miliona e miliona armatim për ta luftuar armikun fantazmë (ndaj të cilit po të vinte puna s’do t’u mjaftonin edhe qindra miliona të tjera), ndërkohë që mbase – por ka gjasë që unë edhe të mund të jem duke folur përçartë – me një pjesë të atyre parave do të kishin mundur ta renovonin klinikën/klinikat, të siguronin një staf më të gjerë mjekësor, apo mbase edhe t’ia ndërtonin kryeqytetit spitalin e vet.