Një rrugë në Berlin me emrin e kancelarit të bashkimit Kohl - Gazeta Express
string(59) "nje-rruge-ne-berlin-me-emrin-e-kancelarit-te-bashkimit-kohl"

Lajme

Gazeta Express

02/10/2025 10:28

Një rrugë në Berlin me emrin e kancelarit të bashkimit Kohl

Lajme

Gazeta Express

02/10/2025 10:28

Kristiandemokrati Helmut Kohl konsiderohet si arkitekti i bashkimit gjerman, por emri i tij mungon në panoramën e rrugëve të kryeqytetit. Kjo tani do të ndryshojë, me emërtimin e një rruge që do të quhet Helmut Kohl.

“Do të negociojmë me lagjet e kryeqytetit me qëllim të gjejmë një rrugë apo një shesh të rëndësishëm që të mbajë emrin Helmut Kohl.” Kjo fjali e thjeshtë është shkruar në një nga kapitujt e marrëveshjes së koalicionit, sepse Berlini që nga prilli 2023 qeveriset nga kristiandemokratët (CDU) dhe socialdemokratët (SPD).

“Një nderim i madh për një njeri të madh”

Rreth dy vjet e gjysmë më vonë kryebashkiaku që qeveris Berlinin, kristiandemokrati Kai Wegner deklaroi zyrtarisht, se ku do të nderohet në kryeqytet ish-kancelari i bashkimit në vitet 1982 deri më 1998 Helmut Kohl: në Hofjägerallee, një rrugë mjaft qendrore. “Eshtë një rrugë e madhe për një njeri të madh, të cilit i detyrohemi shumë”, argumentoi Wegner, që tashmë e ka vënë në lëvizje procedurën e ndryshimit të emrit të kësaj rruge në kryeqytet.  

Helmut Kohl, i cili ndërroi jetë në moshën 87 vjeçare konsiderohet si arkitekti i bashkimit të Gjermanisë më 3 Tetor 1990.

Pa kaluar as tri javë nga rënia e Murit të Berlinit më 9 Nëntor 1989 ai prezantoi në Bundestag një plan dhjetë pikësh për ribashkimin e vendit të ndarë në Lindje e Perëndim që nga viti 1949.

Kjo ishte edhe dëshira e shumicës së popullsisë gjermane. Por për t’u realizuar ajo duhej që të bindeshin fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore: SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik. 

Linjë e mirë komunikimi e Kohl-it me komunistin e reformave Gorbaçov

Politikat e Glaznostit dhe të Perestrojkës të Gorbaçovit në Bashkimin Sovjetik rezultuan me përfitim për Helmut Kohl-in. Historiani Kohl ia doli që brenda një kohe të shkurtër të shmangte rezervat e përhapura kundër një bashkimi të Gjermanisë. Vepra e tij mjeshtërore konsistoi në bisedimet personalisht me komunistin e reformave Michail Gorbaçov për të marrë miratimin e Kremlinit. Ky ishte parakushti për bisedimet e suksesshme ndërmjet dy shteteve gjermane dhe aleatëve, që në Maj 1945 i imponuan kapitullimin pa kushte Gjermanisë naziste.

Kush ishte Helmut Kohl

Helmut Josef Michael Kohl lindi në Ludwigshafen në 3 prill 1930. Ai ishte vetëm 17 vjeç kur u bë anëtar i Bashkimit Kristiandemokrat (CDU). Gjatë kohës së studimeve të tij për histori, shkenca juridike dhe politikë ai vazhdoi aktivitetin në radhët e partisë.

Në vitin 1969, Helmut Kohli u zgjodh kryeministër i landit të Rheinland-Pfalzit. Në moshën 39 vjeçare ai qe kryeministri më i ri që e pati marrë ndonjëherë këtë post.

Por do të zgjaste deri në 1 tetor 1982, derisa Helmut Kohli të arrinte synimin e tij: postin e Kancelarit të Gjermanisë.

Kontribut të vecantë Helmut Kohl ka në avancimin e projektit evropian. Pas këmbënguljes kryesisht të Francës, për të avancuar bashkimin politik të Evropës, si kusht që Presidenti francez François Mitterrand të jepte dakordimin për bashkimin e Gjermanisë, Kohl dha aprovimin për avancimin e institutucioneve evropiane dhe ecjen drejt Marrëveshjes së Mastrihtit. Gjermania ra dakord të braktisë simbolin e saj ekonomik, monedhën më të fortë evropiane, monedhën gjermane, Dojçmark dhe zëvendësimin e saj me Euron.

I ndërgjegjshëm për rëndësinë e bashkimit politik të Evropës, Kohl do të shkruante në atë kohë se avancimi i arritur i ndërvarësive ekonomike dhe politike të Evropës, e bënte edhe praktikisht të pamundur kthimin pas, në epokën e luftërave në Evropë.

35 vjet pas bashkimit Berlini nderon emrin e Helmut Kohl

Berlini duke ndryshuar emrin e një rruge të rëndësishme nderon ish-kancelarin e bashkimit. Ndryshimi i emrit të rrugës Hofjägerallee rreth 420 metra të gjatë pritet të mos ketë probleme juridike, pasi në këtë rrugë nuk ka banorë. Sipas së drejtës nga një vendim gjykate, emri i një rruge mund të ndryshohet vetëm nëse banorët e saj janë dakord. Në rastin e rrugës në fjalë është e përjashtuar që të ketë kontestime të tilla ligjore. 

Në vijë shikimi kolona e fitores deri tek Porta e Brandenburgut

Rruga që do të mbajë emrin Helmut Kohl përfundon tek sheshi në formë ylli në qendrën e zonës Berlin Tiergarten, jo larg kuartierit qeveritar. Në mes të udhëkryqit në formë ylli ngrihet kolona e fitores 67 metra e lartë nga shekulli i 19-të e kurorëzuar me figurën e artë të Viktorias.

Kjo vepër konsiderohet si ndër monumentet më të rëndësishme kombëtare të Gjermanisë dhe kujton të ashtuquajturat luftrat e unitetit, që më 1871 çuan në themelimin e Rajhut Gjerman. Kjo duket se përshtatet me Kohl, i doktoruar në fushën e shkencave historike. Rrugët me disa korsi që zenë fill tek kolona e fitores bartin shumë histori. Kjo vlen veçanërisht me perspektivën e saj drejt lindjes: Atje ndodhet Porta e Brandenburgut, simboli më i rëndësishëm i bashkimit gjerman.

Nëse shëtit deri në fund të rrugës së ardhshme Helmut-Kohl-Allee në drejtim të jugut, mund të shohësh edhe selinë qendrore të partisë kristiandemokrate që mban emrin e kancelarit Konrad Adenauer. Edhe kjo duket se përshtatet mjaft mirë me imazhin e së tërës në nderim të figurës së Helmut Kohl-it. Kohë më parë Berlini e ka shpallur ish-kancelarin edhe qytetar nderi.  /DW