Pa dilemë pas shkarkimit të Qeverisë Kurti nga partneri i koalicionit, kjo është ndër krizat politike më polarizuese prej themelimit të shtetësisë së Kosovës. Rrethanë rënduese e kësaj krize padyshim është edhe situata e krijuar nga e coronavirus-i i ri COVID-19 dhe efektet e saj.
Shkruan: Vegim Kraja
Kriza e shkaktuar pas mocionit të mosbesimit i votuar nga shumica në Kuvend, dhe heshtjes të subjektit fitues të zgjedhjeve për të pranuar mandatarin nga Presidenti i Republikës, për shkak të emergjencës shëndetësore apo edhe arsyeve të tjera politike, dhe qëllimit të Presidentit që heshtjen e subjektit fitues të zgjedhjeve Lëvizjes Vetëvendosje, ta konsideroje si refuzim për ta pranuar mandatarin për themelimin e qeverisë.
Presidenti ka treguar vullnetin e tij, pas konsultimit me partitë politike, që pas “refuzimit jo shprehimor” të Lëvizjes Vetëvendosje t’ia ofrojë mandatarin për themelimin e qeverisë një subjekti partiak, i cili dëshmon se mund të sigurojë shumicën parlamentare në Kuvend.
Kësaj krize pa dilemë i kontribuon fakti se për herë të parë në praktikën e themelimit të qeverisë përjashtohet partia që i ka fituar zgjedhjet dhe praktika e deritashme, se rënia e çdo qeverie në çfarëdo rrethane e ka çuar vendin në zgjedhje.
Për shkak të polarizimit të thellë të situatës politike për arsyet e lartpërmendura, është e pritshme që kjo krizë politike të kërkojë zgjidhje tekstuale juridike kushtetuese. Kjo sepse ashtu siç është paralajmëruar, partia e fituese e zgjedhjeve nuk do të heqë dorë nga e drejta të kontestojnë kushtetutshmërinë e dekretit eventual të presidentit, me të cilën ia përcakton si mandatar cilëndo do parti, e cila pretendon se ka shumicën e nevojshme në Kuvend për themelimin e qeverisë.
Në këtë fazë, për Presidenti i Republikës që të ushtrojë funksionin e tij në përputhje me Kushtetutën, do te ishte e këshillueshme të kërkojë nga Komisioni i Venecias interpretimin e Nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, mbi bazën e të cilit duhet të veprojë për dekretimin e mandatarit nga partia jo-fituese në zgjedhje.
Me kërkesën eventuale për një opinion të tillë nga Komisioni i Venecias, Presidenti do të minimizonte dyshimet për anime të mundshme. Marrë parasysh emergjencën e krizës, ekziston mundësia të kërkohet që ky opinion të jepet në mënyrë urgjente, me procedurë të përshpejtuar, para seancës plenare të Komisionit të Venecias, e cila mbahet në muajin qershor.
Një alternative kundrejt kerkeses per marrjen e opinionit si me lart, nese presidenti nuk zgjedh kete rruge, duke e njohur mendësinë e partive politike dhe mosbesimin e tyre kundrejt gjykimit eventual të drejtë nga Gjykata Kushtetuese dhe dyshimeve të partive politike për ndërhyrje eventuale politike tek gjyqtarët e drejtësisë kushtetuese, do te ishte kerkesa nga Gjykata Kushtetuese, e opinionit Amicus curiae (mendim te pavarur – miqtë e gjykatës) nga Komisioni i Venecias. Ky opinion do të ndihmonte në arritjen e një vendimi të plotë, të drejtë dhe të pakontestueshëm nga palët e interesuara. Gjithashtu, mendimi eventual ligjor i pavarur nga Komisioni i Venecias, do t’i përmbushte dëshirat tona për te marre dhe medimin e te huajve.
Është me rëndësi të theksohet se Kosova, edhe pse nuk është anëtare në Këshillin e Evropës, ajo është anëtare në Komisionin e Venecias, i cili ka rol të pamohueshëm në demokratizimin e vendeve të Evropës Juglindore, kryesisht në shtetet me demokraci të brishta në konsolidim. Roli i Komisionit të Venecias është të ofrojë këshilla ligjore për shtetet anëtare, në veçanti i ndihmon shtetet të cilat dëshirojnë apo aspirojnë që strukturat ligjore dhe institucionale t’i përafrojnë me standardet evropiane dhe praktikat ndërkombëtare të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Pra, kërkesa që kjo krizë të zgjidhjet me asistencën e Komisionit të Venecias është në pajtim me rrugëtimin dhe aspiratat e popullit të Kosovës, për të ndërtuar një shtet me standardet evropiane në fushën e demokracisë. Ky Komision përbehet nga 62 shtete anëtare, 47 prej anëtarëve të Këshillit të Evropës dhe 15 shtete anëtare, të cilat nuk janë anëtare të Këshillit të Evropës. Komisioni Venecias përbehet nga individë të shteteve anëtare, të cilët janë profesorë të së drejtës publike dhe ndërkombëtare, gjyqtarë të gjykatave kushtetuese, anëtare parlamentesh apo edhe shërbyes civil të cilët veprojnë në kapacitetin e tyre individual, pavarësisht se shtetet anëtare i emërojnë këta ekspertë.
Institucionet e Kosovës, fatkeqësisht e kanë përdorur minimalisht ndihmën dhe ekspertizën profesionale të kësaj trupe ekspertësh, përkatësisht vetëm në rastin e plotësimit të Ligjit për Financimin e Partive Politike, dhe plotësimit të Ligjit për Liritë Fetare.
Ndërsa, institucionet në Shqipëri, ndihmën e këtij komisioni e kërkojnë gati për secilën mosmarrëveshje politike, e cila kërkon zgjidhje juridike.
Kosova si një demokraci në ndërtim dhe e brishtë, do të ishte udhës të kërkonte ndihmën e Komisionit të Venecias, për fuqizimin e institucioneve demokratike dhe për t’i ruajtur institucionet e veta kyçe – në këtë rast Gjykatën Kushtetutese – të cilat në kohë të polarizimit të skajshëm politik do t’i nënshtrohen një trysnie të paparë politike.