Një presidente plot mllef - Gazeta Express
string(25) "nje-presidente-plot-mllef"

OP/ED

Gazeta Express

22/04/2022 15:22

Një presidente plot mllef

OP/ED

Gazeta Express

22/04/2022 15:22

Vjosa Osmani po shfaqet para gazetarëve nervoze, plot mllef, prepotencë dhe arrogancë. Të parën e shtetit po e pengojnë mediat dhe gazetarët, por jo edhe dyshimet për skandale, si ai ku mund të jetë i përfshirë një ambasador i dekretuar nga ajo. Standardet, për të cilat fliste dikur, duhet t’i respektojë tash.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Vjosa Osmani reagoi plot nervozë e mllef te premten, kur u pyet nga gazetari i T7 për dyshimet se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në një skandal të madh financiar. Presidentja tha se i beson ambasadorit dhe se skandali nuk ishte konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë.

Për mundësinë e përfshirjes së ambasadorit në skandal është raportuar gjerësisht këto dy ditë. Natyrisht, organet e drejtësisë ende nuk kanë dhënë verdikt për rastin. Por, a nuk do të duhej që Berishaj të shkarkohet nga posti deri sa të qartësohet gjithçka? Një presidente e përgjegjshme, një ministre e Jashtme e përgjegjeshme do të duhej ta shkarkonin atë menjëherë, deri sa organet e drejtësisë të japin vendimin përfundimtar për skandalin e mundshëm. Çdo përpjekje e krerëve institucionalë për ta mbrojtur ambasadorin nuk ndihmon, vetëm dëmton diplomacinë edhe ashtu me plot skandale të Kosovës, dëmton vetë shtetin e Kosovës.

Qasja e presidentes Osmani karshi gazetarëve nuk dallon shumë nga qasja e zyrtarëve të tjerë të pushtetit, kur ata pyeten për çështje të ndryshme të interesit publik. Hiç më larg se javën e kaluar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e cilësoi “budallaqe” pyetjen e një gazetareje për punësimin e një familjari të tij.

Por, gjatë muajve të fundit Osmani është shfaqur disa herë plot pezëm e mllef ndaj mediave dhe gazetarëve që kanë raportuar për të. Kur bashkëshorti i saj Prindon Sadriu, njëherësh kryediplomat kosovar në Maqedoninë e Veriut i cilësoi mediat si një “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, presidentja u përpoq ta mbrojë e arsyetojë, ndërkaq shefja e tij, ministrja Donika Gërvalla nuk mori asnjë veprim ndaj tij. Njësoj nervoze, plot mllef e prepotencë, presidentja u shfaq edhe kur mediat raportuan për paratë që ajo i kishte marrë sa ishte deputete, si kompensim për udhëtim për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

Arrogante dhe nervoze presidentja u paraqit së fundi edhe në një intervistë televizive, teksa nuk ishte në gjendje të jep përgjigje konkrete se për çfarë arsye po deklaronte se sukseset në politikën e jashtme ishin, sipas saj, marramendëse.

* * *

Vjosa Osmani erdhi në pushtet duke premtuar se nuk do të jetë si ata që kanë qenë në pushtet, se do të jetë transparente, se do të jetë “krejt ndryshe”. E katapultuar në majat e politikës, si një manovruese e zonja që nga koha kur u bë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ajo tash në postin më të lartë shtetëror po sillet si një idhnake e papërmirësueshme, si dikush që mendon se është më i miri, por krejt bota po ia kanë inati.

Më tepër se një presidenteje, qasja e saj ndaj mediave dhe publikut në përgjithësi i ngjan ndonjë zyrtareje partiake të frustruar, që nuk përton të reagojë pa takt ndaj gazetarëve kur i bëhet ndonjë pyetje që nuk i pëlqen. Ajo e ka për detyrë që t’i përgjigjet interesimit të gazetarëve për çfarëdo teme, aq më shumë për çështjen e një ambasadori të cilin e ka akredituar vetë, e i cili dyshohet të jetë përfshirë në një skandal të madh financiar. Vazhdimi i punës së Berishajt në pozitën e ambasadorit vetëm sa do ta nxijë edhe më shumë diplomacinë kosovare.

“Është për keqardhje se si ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovës, e cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore”, iu përgjigj të premten presidentja gazetarit.

Në fakt, gazetari nuk konstatoi asgjë – vetëm e pyeti Osmanin për dyshimet rreth një skandali. Megjithatë presidentja e dha verdiktin, i besoi fjalës së ambasadorit, pa thënë fjalën e vet organet e drejtësisë.

* * *

E kaluara politike është e mbushur plot akuza ndaj njerëzve që ishin në pushtet – që nga akuzat për hajni e korrupsion, deri te vrasjet. Vazhdimisht, ndër vite, të tilla akuza janë dëgjuar të bëhen nga politikanët, edhe pse në mungesë të vërtetimit të tyre nga gjykatat.

Presidentja duhet ta dijë se për skandalet që mund të ndodhin, fajet nuk i kanë gazetarët që i raportojnë. Faj gazetarët nuk kanë pasur as kur raportonin për atë vetë dhe për bashkëshortin e saj. Andaj, presidentja duhet të qetësohet, ta ushtrojë detyrën ashtu siç duhet dhe të mos hap luftë me media. Ajo mban pozitën më të lartë shtetërore, andaj nuk duhet të tingëllojë si aktiviste partiake. Standardet, për të cilat fliste dikur, duhet t’i respektojë tash. Tash, menjëherë.